Agjentë sekrete nga vende të ndryshme, përfshirë ndërmjetës të CIA-s kanë përdorur shërbimet e “Mossack Fonseca”-s dhe kanë hapur kompani guaskë për të fshehur aktivitetet e tyre.
Kështu raporton gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” e cila bashkë me 100 grupe të tjera mediatike po shqyrton sasinë kolosale prej 11.5 milionë dokumentesh të rrjedhura nga filma ligjore panameze “Mosack Fonseka”.
Lista e atyre që besohet të kenë shfrytëzuar shërbimet e kompanisë për të fshehur pasuritë e për t’ju shmangur taksave zgjerohet nga ora në orë dhe përfshin biznesmenë e personalitete nga të gjitha fushat.
Të martën gazeta gjermani bëri të ditur se mes klientëve të “Mossack Fonseca” janë edhe disa lojtarë kyç të skandalit “Iran-Contra”, kur zyrtarët amerikanë u shitën fshehurazi armë Iranit në përpjekjen për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane e për të financuar rebelët kontra të Nikaraguas.
“Panama Papers” zbulon gjithashtu se zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të shërbimeve sekrete nga të paktën 3 vende, Arabia Saudite, Kolumbia dhe Ruanda listohen mes klientëve të kompanisë.
Mes tyre edhe Sheiku Kamal Adham, ish-kreu i inteligjencës saudite që vdiq në vitin 1999. Gjatë viteve ‘70-të, Adham ishte një prej informatorëve kyçë të CIA-s në Lindjen e Mesme, siç pohon “Süddeutsche Zeitung”, transmeton topchannel.
Megaskandali i Panamasë turbulloi ujërat në botë, duke detyruar kryeministrin e Islandës të dorëhiqej, e duke vënë në trysni të madhe shumë liderë të tjerë, përfshirë kryeministrin britanik David Cameron i cili sipas dokumenteve kishte trashëguar një fond “offshore” të krijuar nga babai i tij i ndjerë.