“Mossack Fonseca”, firma ligjore panameze në qendër të rrjedhjes kolosale të të dhënave konfidenciale financiare, pretendon se ishte bërë viktimë e një sulmi kibernetik.
Sipas Ramon Fonseces, një prej partnerëve që kanë themeluar firmën, rrjedhja e dokumenteve nuk kishte ardhur nga brenda kompanisë, por si pasojë e një sulmi nga serverë jashtë vendit. Firma ligjore bëri të ditur se kishte depozituar një padi në zyrën e kryeprokurorit panamez.
“Mossac Fonseca” ka akuzuar organizatat mediatike që raportuan rrjedhjen, për qasje të paautorizuar ndaj dokumenteve dhe informacioneve në pronësi të kompanisë.
“Jemi të habitur që askush nuk u ngrit e tha se ndaj nesh është kryer një krim. Bota po pranon se privatësia nuk është një e drejtë njerëzore”, tha Fonseces.
Javën e kaluar kompania njoftoi përmes një e-maili klientët e saj për thyerjen e paautorizuar të serverëve.
Shumë vende janë vënë në lëvizje, duke nisur hetime për abuzime të mundshme financiare nga të pasurit e të pushtetshmit, pas daljes në dritë të më shumë se 11 milionë dokumenteve.
Zbulimet kanë shkaktuar edhe reagime politike në disa shtete ku janë përfshirë personazhe të profilit të lartë. /TCH/