Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se asnjëherë nuk do të donte të fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës për problemet me të cilat ditëve të fundit po përballen, atë të karakterit logjistik.
Berisha gjatë seancës së jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për problemin e furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së ka vën në pah mungesën e deputetëve të pozitës.
“Dua të vë në pah se kështu kanë munguar përherë deputetët e pushtetit kur duhet të përballen me gjuhën e nevojave të popullit, kur duhet të përballen me premtimet e papërmbajtura dhe kauzat dhe kauzat e rrejshme me të cilat janë përballur në pushtet. Kjo është fjala që kurrë s’do të doja ta mbaja, jo për shkak të kodit ushtarak që më kufizon, por asnjëherë nuk do të dëshiroja të flasë rreth ushtrisë për problemet e karakterit logjistikë…e më keq, për një ushtri nga e cila ikin ushtarët, nën oficerët dhe oficerët për shkak të kushteve të shërbimit jo dinjitoze për paga, çizme, uniforma, për mungesë të ushqimit, etj”, tha Hiseni.
Ai po ashtu tha se nga FSK-ja janë duke ikur ushtarët dhe oficerët për shkak të kushteve të dobëta, përcjell Telegrafi.
Ai tha se asnjë ushtar se ka lënë uniformës për shkak të ushqimit, por për shkak të çështjeve të tjera demotivuese.
“Janë një mori shkaqesh demotivuese siç janë: pagat dhe kushtet e shërbimit jo dinjitoze, manipulimet me gradime jo meritore, trajnime jashtë vendit po ashtu me manipulime, puna jashtë orarit dhe mos kompensimi, mungesa e transportit, vajtje-ardhje, etj”, tha Berisha.
Ai po ashtu tha se kjo qeveri ka agjendë për zhbërjen e shtetit të Kosovës.
Ndryshe, pak para se të filloj seanca e jashtëzakonshme Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme.
Deputeti i kësaj partie, Enver Dugolli në një konferencë për media tha se Grupi Parlamentar i LVV-së nuk do të marr pjesë në asnjë seancë që ftohet nga opozita.