Deputetët e pozitës pas një debati të ashpër me opozitën kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit Hetimor ku pritej të diskutohej për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, më datë 29 mars 2018.
Arsyeja e mospajtimit ishte nëse mbledhja do të duhej të mbahej me dyer të hapura apo të mbyllura për media, raporton Telegrafi.
Çështjen e mediave e hapi për shqyrtim dhe votim kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, mirëpo për këtë nuk u pajtuan deputetët e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Hajdar Beqaj si dhe i AAK-së, Muharrem Nitaj.
Musliu tha se nuk është e nevojshme të futet në votim kjo çështje pasi ligji e përcakton që temat e ndjeshme duhet të jenë të mbyllura për media.
Ajo iu drejtua Sveçlës duke i thënë se nuk ka nevojë të bëjnë ‘show’.
“Mos të keqkuptohemi. Në fillim erdhe dhe u konsultove me ne. Insistove në mendimin tonë, e tash po bëhet show”, ka thënë Musliu.
Edhe Nitaj u shpreh se nuk ka arsye për debat pasi bëhet fjalë për temë të ndjeshme.
“Nuk dua të debatojmë, mirëpo kur është fjala për sekrete shtetërore atëherë mbledhjet janë të mbyllura”, ka thënë Nitaj.
Ai po ashtu theksoi se nëse kjo temë vazhdon të diskutohet atëherë do të detyrohet që të lëshoj mbledhjen.
“Si anëtar i Komisionit nuk kam munguar asnjëherë në këto çështje. Materia është e ndjeshme dhe ka informacione të klasifikuara. Kemi nënshkruar deklaratë të konfidencialitetit për të mbajtur informacionet e mbyllura…”, tha ndër të tjera deputeti i AAK-së.
Ndërsa, deputeti nga i LVV-së, Sami Kurteshi, potencoi se çështja është publike dhe s’ka nevojë të jetë e mbyllur për publikun.
“Jemi në një çështje publike. Kur është tek çështjet publike, s’duhet të jenë jo-publike. Personalisht përveç kur kemi raste me fëmijë apo me konflikte gjinore…Le ta shohin mediat dhe populli çka po ndodh”, tha Kurteshi.
Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, theksoi se deputetët që vijnë nga pozita i frikësohen votës së tyre publike.
“Ne po e shohim që deputetët që vijnë nga radhët e pozitës nuk kanë interes, dhe ata i frikësoheshin votës së tyre publike. Ata insistonin që kjo mbledhje të mbyllet. Jam i pajtimi që kjo mbledhje të vazhdoj”.
Ndërkaq, mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar është shtyrë për gjysmë ore nga kryetari i këtij komisionit. /Telegrafi