Telegrafi

Mosmiratimi i buxhetit pengon zhvillimin ekonomik

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza tha se kjo situatë ka krijuar dilema se si do të ecin punët me aprovimin e buxhetit të vitit të ardhshëm. Mirëpo, ai tha se Ligji për miratimin e financave publike ofron zgjidhje edhe për situata të tilla.

“Situata e re e krijuar pas zhvillimeve që kanë ndodhur ka prodhuar një krizë institucionale. Kjo krizë institucionale vë dilemë se si do të ecet rreth aprovimit të buxhetit. Buxheti është i përgatitur, ne e dimë se disa ministri aktualisht janë pa ministra dhe që mund të priten edhe zhvillime të reja”, tha ai.

Përkundër kësaj, Ligji për miratimin e financave publike dhe përgjegjësive ka dhënë zgjidhje edhe për këto situata. Sipas zëvendësministrit Hamza, nëse buxheti nuk aprovohet në vitin 2010, tre muajt e parë të vitit të ardhëm, konkretisht në muajin e parë dhe të dytë, buxheti mund të shpenzohet me 1/12, për të vazhduar në muajin e tretë me aprovimin në Kuvend.

Por ndryshe mendojnë ekspertët, të cilët thonë se kjo është një situatë serioze e cila do të sjellë probleme të mëdha në të ardhmen për Kosovën.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu tha për Telegrafin se situata e krijuar është tepër serioze, e cila do të ndikojë në mosrealizimin e shumë projekteve kapitale. Po ashtu sipas tij, parashikimet për rritje ekonomike për vitin 2011 mund të bien.

“Mosmiratimi i buxhetit ka krijuar një situatë serioze, e cila do të ndikojë në realizimin e shumë projekteve kapitale, në hapjen e vendeve të reja të punës e po ashtu edhe në zhvillimin ekonomik”, tha kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu.

Eksperti i Ekonomisë, Muhamet Sadiku tha se pas prishjes së koalicionit qeverisës dhe mosmiratimi i buxhetit për vitin 2011 ka krijuar një situatë të pakëndshme.

Sipas tij, ky mosmiratim mund të sjellë krizë buxhetore. “Mos miratimi i buxhetit detyron që të ketë shfrytëzime të përkohshme buxhetore por jo më shumë se tre muaj”, tha Sadiku.

Mosmiratimi i buxhetit, do të ndikojë negativisht edhe në anëtarësimin e Kosovës në BERZH si dhe në tërheqjen e investitorëve strategjik, thotë eksperti Sadiku. /Telegrafi/