Një mosmarrëveshje, që kishte nisur në Zvicër, përfundoi me fatalitet në Kosovë. Gjatë të shtënave me armë zjarri në Viti mbeti i vdekur një 25-vjeçar dhe dy të plagosur.
Burime të RTV Dukagjinit konfirmojnë mosmarrëveshjen e mëhershme mes palëve.
Dëshmitarët e rastin tregojnë se dy veturat, në të cilat ishin personat e përfshirë në konflikt, kanë qenë me targa të Zvicrës, dhe janë takuar te ura në Viti.
Bëhet e ditur se një person ka gjuajtur me armë ndaj tre të tjerëve dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me veturë.
Dy nga tre të plagosurit kanë marrë lëndime të renda, derisa personi i tretë, një 25-vjeçar, nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra.
“Pacienti me inicialet A.R. ka ardhur pa shenja jete në spital. Pacienti tjetër ka pasur plagë në regjionin e pasmë të kraharorit, në anën e majtë si dhe në regjionin e kokës. Pas ndihmës së dhënë pacienti është dërguar për trajtim në QKUK”, njoftojnë nga Spitali i Gjilanit.
I dyshuari për rastin është arrestuar nga Policia e Kosovës.
“Policia e Kosovës shpejt e ka lokalizuar të dyshuarin për këtë rast dhe ai është arrestuar. Është gjetur edhe arma që dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, deklaroi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismat Hashani.
Ndaj të dyshuarit prokuroria ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orëve./Telegrafi/