Site icon Telegrafi

(Mos)legalizimi i prostitucionit?!

Termi prostitucion vjen nga latinishtja dhe fjalorët që e shpjegojnë këtë fjalë i kanë dhënë kuptimin e ofertës për të kënaqur dikë me interes, për të shitur diçka që është paracaktuar për të mos u shitur, Fjala prostitutë fitoi përdorim të zakonshëm në fundin e shekullit XIX. Në botën antike, madje edhe më pas, shumica e ofrueseve të seksit kanë qenë kurtizane, konkubina (dashnore që mbaheshin rregullisht), ose skllave.

Zanafilla e saj si dukuri është mjaft e hershme, termi i saj përmendet edhe në Bibël edhe Kuran, që nënkupton se ajo daton që nga krijimi i njeriut. Megjithëse kjo dukuri u praktikua, vajzat të cilat ushtronin këtë dukuri ishin të pambrojtura dhe sipas organizatave te ndryshme ndërkombëtare ato pasi mashtrohen nga trafikantet për “një jetë më të mirë” bëhen prostituta me apo pa dashje, pasi janë edhe të rrezikuar me jetë.

Në Deklaratën Universale e të Drejtave të Njeriut të miratuar dhe shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me rezolutën e saj nr. 217A/III, datë 10 dhjetor 1948, thuhet se “Çdo individ ka të drejtën e jetës dhe të sigurisë, por në prostitucion gratë janë të pasigurta, të kërcënuara, të pambrojtura”.

Si është gjendja në Kosovë?

Dukuria e prostitucionit vazhdon me përmasat e saja të rritjes enorma, të vajzave të cilat “importohen”, por edhe vajzave shqiptare nga Kosova të cilat “eksportohen” të shtyra nga mashtrimet e boss-ëve se do të punojnë një punë të ndershme.

Kjo dukuri në Kosovë ka marrë përmasat më të mëdha kryesisht pas luftës, duke qenë deri para tre vjetësh pa status dhe në mungesë të saj ajo vetëm sa është rritur, ndërsa tani pas pavarësisë nuk ka ndryshim se ka shenja të zvogëlimit të saj. Duhet theksuar se për periudhën nga janari deri në dhjetëditëshin e dytë të marsit janë kthyer nga Kosova më shumë se 70 femra të Shqipërisë, të cilat në tërësi policia e Kosovës i motivon “për mungesë dokumentesh”. Sipas një raporti të policisë së Kosovës, Shqipëria renditet e treta për nga numri i femrave shqiptare që ushtrojnë prostitucion në Kosovë, por me një përqindje të vogël, krahasuar me dy vendet e para që i mbajnë Moldavia e Bullgaria, ku Shqipëria zë 5-10 % të numrit të femrave që ushtrojnë aktivitet prostitucioni.

Në Kosovë ka ekzistuar vetëm ligji që ndalonte prostitucionin, ndërsa tani nuk ekziston asnjë rregullore që do ta legjitimonte apo ndalonte atë. Pa mbulesë ligjore, e organizojnë rrjetin e prostitucionit nëpër të ashtuquajturat “klube nate” e “bare” të ndryshme, ku në skenë paraqiten “valltaret profesioniste”, të cilat mund t’ju shoqërojnë gjatë mbrëmjes nëse për këtë jeni të gatshëm të paguani (natyrisht, paratë i shkojnë boss-it). Dëbimi nga Kosova i më shumë se 70 vajzave nga Shqipëria në më pak se tre muaj flet për një dukuri shqetësuese sociale.

Si të veprohet më tutje?

Edhe pse shumë zëra në opinionin publik lidhur me këtë problem i karakterizon një moralizim provincialist, ai kryesisht është përvijuar në dy drejtime. Njëra palë kërkon ndalimin me ligj dhe dënimin e pamëshirshëm të gjithë atyre që merren me këtë “profesion”, ndërsa pala tjetër pohon se zgjidhja më e mirë është legalizimi i prostitucionit, por duket se nga droja e “njollosjes morale” ata pohojnë se kjo do të duhej të nënkuptonte “izolimin e atyre që merren me këtë profesion dhe mbajtjen sa më larg nga vajzat shqiptare”. Pjesëtarë të një shoqërie të “mbyllur”, ku dukuritë si prostitucioni, incesti apo homoseksualizmi janë “zgjidhur”, nëse jo me ligj, atëherë “me pushkë”, ata sikur duan të besojnë se “mishi i bardhë”, që mbase paguhet nga djemtë e tyre, s’është veçse “mish i huaj”.

“Kodi i heshtjes” që vazhdon të ekzistojë në Kosovë ka bërë që të mos flitet fare apo vetëm të “pëshpëritet” për trafikimin e vajzave shqiptare në vendet e tjera. Me ligj kjo dukuri nuk është legalizuar edhe pse defakto është një legalizim i heshtur që inkorporohet në mekanizma për pasurimin e politikanëve, që janë pjesë e pushtetit dhe trafikantëve që në disa raste janë të lidhur me pushtetin. Edhe vendet më të zhvilluara kanë bërë legalizimin e kësaj dukuri, në pamundësi që të çrrënjoset plotësisht. Kjo formë ka sjellë edhe aspektet pozitive të saja:
– Rritja e buxhetit nga tatimet e klubeve dhe vajzave që ushtrojnë këtë “zanat”;
– Minimizimi i mundësisë së përhapjes së sëmundjeve ngjitëse përmes formave të prostitucionit, pasi organet shëndetësore do te ishin të obliguara të bënin mbikëqyrjen e vajzave që ushtrojë këtë veprimtari;
– Mbikëqyrja shtetërore për t’i ndihmuar vajzat të cilat nuk dëshirojnë të vazhdojnë këtë veprimtari dhe inkuadrimi i tyre në rrjete e mirëfillta shoqërore;
– Pamundësia e trafikantë të manipulojnë nga “puna” që ato bëjnë, etj.

Qeveria është e obliguar të merrte me dukuritë që e shqetësojnë qytetarin e Kosovës dhe ndikojnë në vetëdijesimin e tyre për pasojat e çdo lloj dukurie. Është obligim moral dhe qytetar, por i të gjithë neve të flasim për këto tema, të diskutojmë dhe bëjmë hapa në respektimin e të drejtave të njeriut, por pa e cenuar të drejtën e dikujt tjetër. Shpresoj se hapja e këtij debati do të nxis hapat e mëtejshme të debateve, të cilat më vonë të konkretizohen edhe me veprime ligjore.

Exit mobile version