Kryeqyteti rus është mësuar më të ftohtin, por reshjet e dendura të shiut dhe dëborës, të regjistruara atje së fundi, ishin një rekord edhe për Moskën vetë.
Një person humbi jetën e 5 të tjerë u lënduan nga kushtet ekstreme të motit që fajësohen për rrëzimin e mbi 2000 pemëve. Gati gjysmë metri dëborë, më shumë se gjysma e mesatares mujore, mbuloi brenda vetëm 24 orësh kryeqendrën e Rusisë.
Sasia më e madhe e borës kjo për një periudhë kaq të shkurtër kohe e shënuar ndonjëherë që prej fillimit të regjistrimeve. Një prej fotove të shkrepura nga banorët, tregon sesi katedralja e famshëm e Shën Bazilit në Sheshin e Kuq nxjerr kryet pas një pirgu bore. Moti i keq u bë shkas edhe për ndërprerjen masive të energjisë elektrike në qindra fshatra përreth Moskës.
Me dhjetëra fluturime patën vonesa në aeroportet e kryeqytetit rus.
Por pavarësisht shqetësimeve që shkaktuan bora dhe ngricat, nuk ishin të paktë moskovitët të cilët e përjetuan me kënaqësi këtë moment, duke e bërë të qartë përmes mediave sociale se ishin të gëzuar që po shikonin rikthimin e dimrit të vërtetë rus pas zbutjeve të pazakonta sezonale të motit këto vitet e fundit.