Politika e të rinjve paraqet çështje strategjike të ardhmërisë së Bashkimit Evropian (BE), prandaj është e nevojshme që rinia të informohet sa më mirë për mundësitë konkrete që ofron integrimi në BE. Me dëshirën që të rinjve t’u ofrohen njohuri dhe informacione mbi proceset më të rëndësishme për shoqërinë tonë që do të zhvillohen në vitet e ardhshme, duhet që në një të ardhme sa më të afërt të përgatitet kurikula mësimore për një lëndë të re mësimore nëpër shkolla të mesme në Kosovë. Kjo do të ndikonte në rritjen e dinamikës në procesin e integrimeve të Kosovës në BE dhe në NATO. Marrë parasysh dinamikën e proceseve integruese, involvimi i të rinjve paraqet një domosdoshmëri të kohës.
Informatat që marrin të rinjtë për këtë procese janë mjaft të kufizuara, sidomos në hapësirat shkollore në Kosovë. Kjo ndodh për disa arsye, ndër të cilat më të rëndësishme janë: se informacionet e nevojshme për proceset aktuale integruese nuk përkthehen, nuk përcillen si duhet tek të rinjtë, nuk janë paraparë në kurikulen programore edukativo-arsimore, ose edhe në qofte se janë paraparë, janë paraparë vetëm për një drejtim te caktuar, gjë që e bënë të pamjaftueshëm informimin e tyre për proceset integruese.
Nisur nga ky aspekt, ne si shoqëri civile në Kosovë, rekomandojmë, përkrahim dhe nxisim interesim në mbështetjen e aktiviteteve lidhur me informimin dhe edukimin e të rinjve të Kosovës mbi proceset e integrimeve evropiane dhe atyre euro-atlantike. Duke pasur parasysh faktin që procesi i integrimeve evropiane ka një rëndësi të veçantë në jetën e qytetarëve të Kosovës, për t’u sensibilizuar me gjitha orvatjet për integrim dhe, njëkohësisht, për të kontribuuar në këtë drejtim, Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Republikë së Kosovës i rekomandojmë që:
– të hartoj strategjinë programore në planprogramet mësimore;
– të përgatit një tekst për integrimet evropiane për shkollat e mesme të Republikës së Kosovës dhe
– në procesin e mësimdhënies, të angazhoj persona adekuat dhe që janë të familjarizuar me të drejtën e BE-së dhe proceseve integruese.
Lënda integrime evropiane duhet të ju dedikohet nxënësve të shkollave të mesme të Kosovës që kanë interesim në zhvillimin e njohurive dhe eksperiencave lidhur me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me proceset integruese. Lënda për integrime evropiane duhet të jetë një program në edukimin e nxënëseve, i cili ofron një mundësi të veçantë për informim cilësor në mënyrë që nxënësit të njoftohen për karakteristikat ideore, historike, politike dhe ekonomike të BE-së, kornizës legjislative të BE-së, politikat dhe proceset e politikave në BE, Evropën si një lojtar global dhe të ardhmen e rajonit dhe Kosovës për Integrime Evropiane, por edhe për proceset aktuale të integrimeve në këto struktura.
Qëllimi i përgjithshëm i kësaj lënde do të ishte që të përgatis nxënësit dhe shoqërinë kosovare t’i kuptoj sfidat e integrimit në BE. Qëllimi primar i lëndës do të ishte që të ngrit nivelin e njohurive dhe vetëdijes shoqërore për çështjet që lidhen me BE dhe të proklamoj vlerat evropiane përgjatë shoqërisë kosovare. Qëllimi imanent është që të sjell së bashku liderët e afirmuar dhe të rinjtë në Kosovë që të mësojnë rreth procesit të integrimit në BE dhe, rrjedhimisht, të bartin njohuritë e fituara në ambientin e tyre shkollor. Kjo lëndë do të kishte për synim që nxënësit t’i njohë me bazat e euro-atlantizmit, që është parakusht i një procesi të suksesshëm të integrimit politik, strategjik dhe ekonomik të vendit.
Nxënësit dhe në përgjithësi të rinjtë në Kosovë përfaqësojnë grupin më të rëndësishëm të shoqërisë për rolin dhe qasjen e tyre konstruktive në të kaluarën historike dhe perspektivat integruese të së ardhmes drejt perspektivës evropiane.
Në mënyrë që synimet tona për integrimin sa më të shpejt të Kosovës në familjen evropiane të mos jenë vetëm synime të institucioneve shtetërore, por edhe një kontribut i rëndësishëm në involvimin të shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian, pasi që shoqëria civile do të ndihmonte në vetëdijesimin dhe informimin (edukimin) e të rinjve nëpër shkollat tona, duke i shfrytëzuar kapacitet e intelektuale njerëzore që aktualisht Kosova i posedon.
Nëse arsimi është një investim për të ardhmen e shoqërisë në përgjithësi, integrimi për të rinjët është një investim për të ardhmen e një Evrope demokratike. Integrimi nuk është diçka që mund të merret falas. As nuk është një koncept abstrakt. Ai kërkon një angazhim dhe veprim të përgjegjshëm nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Integrimet evropiane, në procesin mësimor edukativ, janë më tepër se një qëllim apo strategji institucionale; kjo paraqet një obligim, një mision që duhet të udhëheqet nga ata që kanë marrë në dorë qiririn për të ndriçuar mendjet e ndritura të të rinjve tanë të cilët janë të etur për Evropë, respektivisht për BE e për civilizim.
Ku mund të futet ky orientim? Si mund të futet? Evropa fillon që në shkollë. “Të mësojmë për Evropën respektivisht për integrimet evropiane”, do të thotë kualifikimi për përgjegjësitë dhe pjesëmarrjen si qytetar evropian. “Të mësojmë të njohim Evropën”, do të thotë të jesh kompetent për sa i përket ekseseve dhe proceseve të informimit rreth Evropës.
Disa refleksione të përgjithshme rreth të mësuarit për Evropën – Asnjë fëmijë nuk është i vogël për të mësuar rreth Evropës. Sot fëmijët e “prekin” Evropën si një realitet në jetën e tyre të përditshme. Ne jemi përkrahës të kësaj qasjeje. Evropa duhet të preket dhe mësohet që nga fillimi i shkollës, në të gjitha nivelet e saj. Kështu ngase tani Evropa, përkatësisht BE, paraqet një sfidë dhe një realitet me të cilën ndeshemi çdo ditë.
Shumë është shkruar, e më shumë është folur lidhur me integrimin në BE. Megjithatë, duket sikur është neglizhuar fakti se “njohja” e BE-së paraqet kusht sine quo non për integrim në të. Për të qenë pjesë e kësaj familje të madhe evropiane, nga ne kërkohet një përgjegjshmëri dhe ndërgjegjshmëri e të gjithëve, në mënyrë që të përfaqësohemi sa me denjësisht dhe ta meritojmë vendin që na takon në kuadër BE-së.
Vendin krucial dhe, së këndejmi, më të rëndësishmin për këtë ndërgjegjësim, zë shkolla. Kështu ngase ajo ka në dorë fëmijët, të ardhmen e shoqërisë. Duke investuar për to, ne investojmë për të ardhmen e Kosovës, dhe kjo e ardhme është në Bashkimin Evropian.
(Autori është magjistër i shkencave juridike)