Përdorimi i substancave narkotike te të rinjtë shihet si një fenomen mjaft shqetësues. Organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, thonë se mosha mesatare e fillimit të abuzimit me narkotikë ka rënë në 12 vjeç.
Këto organizata vlerësojnë se janë rreth pesëmijë përdorues aktivë të këtyre substancave në Kosovë, derisa shtojnë se në tërësi janë rreth 25 mijë përdorues.
Statistikat e autoriteteve të rendit flasin se vetëm gjatë periudhës janar-prill 2016, Policia e Kosovës ka trajtuar mbi 218 raste, ku të përfshirë kanë qenë mbi 300 persona të dyshuar. Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar mbi 180 kilogramë marihuanë, mbi 10 gramë heroinë, pastaj edhe një sasi e kokainës. Si rezultat i operacioneve policore gjatë kësaj periudhe janë arrestuar mbi 250 persona të dyshuar.
Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të rendit që të parandalohet përdorimi dhe shitja e drogave, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja deri te shitësit e drogave nuk është shumë e vështirë, gjë që është shqetësuese.
Ato konsiderojnë se mungesa e një koordinimi të duhur të shumë mekanizmave institucionalë, bën që kjo çështje mos parandalohet. /REL/