Telegrafi

Mosfunksionimi i klimatizimit te autobusët, vështirësi për udhëtarët (Video)

Qytetarët, të cilët e përdorin transportin ndërurban për të udhëtuar, po ankohen se disa prej kompanive që kryejnë shërbimet e transportit të qytetarëve, kanë mungesë të klimatizimit në autobusë. Ministria e Transportit bën të ditur se ky kriter nuk është i rregulluar me ligj.

Florent Hoti udhëton shpesh me autobus nga Prizreni për në Prishtinë.

Vështirësi e udhëtimit, sipas tij është mungesa e kondicionerit ose mosfunksionimit të tij në autobus, e sidomos në këtë kohë kur temperaturat janë të larta.

“Rrugëtimet e gjata janë pak më problematike. Autobusët nuk i kanë kushtet shumë të mira, nuk e kanë klimatizimin si duhet. Verës është pak më problem udhëtimi”, tha për RTV Dukagjinin, Florent Hoti.

Të njejtin problem e ka edhe Gani Shatri nga Istogu.

“Është i vështirë udhëtimi në kushte të tilla sidomos për udhëtarët me moshë mbi 50 vjeçare”, thotë Gani Shatri.

Për këto probleme të udhëtarëve, zëdhënësia e Stacionit të Autobusëve, Shqipe Durmishi, thotë se kriteret e për rregullimin e udhëtimit, i përcakton ministria, e cila i licencon kompanitë.

“Stacioni i Autobusëve iu kryen shërbim të gjithë transportuesve. Specifikat për kushtet e udhëtimit i cakton Ministria e Infrastrukturës”, tha Shqipe Durmishi.

Por, pajisja  me  sistemin e klimatizimit nuk është  kriter  i përcaktuar  sipas  legjislacionit për transportin rrugor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit. Këtë e ka bërë të ditur përmes një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjini, Zyra për informim në këtë ministri.

“Përveç  kritereve  të tjera  profesionale, ne mund të  konfirmojmë se pjesa dërmuese  e autobusëve janë të pajisur me sistemin e klimatizimit (air conditioner)  edhe  pse  kjo nuk është  kriter i  përcaktuar  sipas  legjislacionit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim në Ministrinë e Infrastrukturës.

Kompnaitë private që bartin udhëtarë nga stacioni prapa kamerave janë shprehur se i kanë të gjitha kushtet e nevojshme për udhëtim. /RTV Dukagjini/Telegrafi/