Qytetarët, të cilët e përdorin transportin ndërurban për të udhëtuar, po ankohen se disa prej kompanive që kryejnë shërbimet e transportit të qytetarëve, kanë mungesë të klimatizimit në autobusë. Ministria e Transportit bën të ditur se ky kriter nuk është i rregulluar me ligj.
Florent Hoti udhëton shpesh me autobus nga Prizreni për në Prishtinë.
Vështirësi e udhëtimit, sipas tij është mungesa e kondicionerit ose mosfunksionimit të tij në autobus, e sidomos në këtë kohë kur temperaturat janë të larta.
“Rrugëtimet e gjata janë pak më problematike. Autobusët nuk i kanë kushtet shumë të mira, nuk e kanë klimatizimin si duhet. Verës është pak më problem udhëtimi”, tha për RTV Dukagjinin, Florent Hoti.
Të njejtin problem e ka edhe Gani Shatri nga Istogu.
“Është i vështirë udhëtimi në kushte të tilla sidomos për udhëtarët me moshë mbi 50 vjeçare”, thotë Gani Shatri.
Për këto probleme të udhëtarëve, zëdhënësia e Stacionit të Autobusëve, Shqipe Durmishi, thotë se kriteret e për rregullimin e udhëtimit, i përcakton ministria, e cila i licencon kompanitë.
“Stacioni i Autobusëve iu kryen shërbim të gjithë transportuesve. Specifikat për kushtet e udhëtimit i cakton Ministria e Infrastrukturës”, tha Shqipe Durmishi.
Por, pajisja me sistemin e klimatizimit nuk është kriter i përcaktuar sipas legjislacionit për transportin rrugor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit. Këtë e ka bërë të ditur përmes një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjini, Zyra për informim në këtë ministri.
“Përveç kritereve të tjera profesionale, ne mund të konfirmojmë se pjesa dërmuese e autobusëve janë të pajisur me sistemin e klimatizimit (air conditioner) edhe pse kjo nuk është kriter i përcaktuar sipas legjislacionit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim në Ministrinë e Infrastrukturës.
Kompnaitë private që bartin udhëtarë nga stacioni prapa kamerave janë shprehur se i kanë të gjitha kushtet e nevojshme për udhëtim. /RTV Dukagjini/Telegrafi/