Site icon Telegrafi

Mosekzekutimi i pagave për minatorët e Trepçës, flasin nga menaxhmenti i ndërmarrjes

Foto: Arkiv

Punëtorët e minierës së Stan Tërgut ende nuk e kanë marrë pagën e muajit qershor për shkak të problemeve financiare me të cilat po përballet ndërmarrja.

Kështu tha në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, zyrtarja për komunikim me publikun, njëherësh asistente e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Donika Osmani-Mehmeti.

Sipas saj, kjo vjen si rezultat i borxheve të akumuluara ndër vite dhe problemeve financiare të trashëguara nga e kaluara.

“Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça Sh.A së bashku me menaxhmentin janë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë për ta zgjidhur çështjen në fjalë. Jemi duke e trajtuar me seriozitet dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë”, ka thënë ajo.

Edhe drejtori i Minierës Trepça, Shyqyri Sadiku, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se mos ekzekutimi i pagave të punëtorëve të Trepçës tashmë është kthyer në rutinë, dhe kjo siç u shpreh “minierës po i shkakton humbje të mëdha”.

Sadiku tha se interesi i tyre është që kjo situatë të stabilizohet dhe punëtorët e minierës t’i kthehen punës.

“Kjo po na shkakton humbje të mëdha. Interesi ynë është që të dalim nga kjo situatë e të stabilizohemi me paga. Punëtorët po thirren në një marrëveshje që kanë bërë në minierë. Punëtorët kanë bërë një marrëveshje me ish-deputetët që ekzekutimi i pagave do të bëhet deri më datë 10. E si po vjen data 10 punëtorët s’po punojnë se s’ka paga. E kjo është bërë si standard. Dhe neve po dëmton”, tha ai duke shtuar se “Çdo orë humbje në punë është kosto për ne”.

I pyetur se pse nuk po bëhet ekzekutimi në kohë i pagave për punëtorët e Minierës Trepça, ai tha: “Trepça gjendjen financiare nuk e ka të mirë. Kam thënë dhe më herët, në muajin mars s’kemi mujt me punu hiç se s’kemi pas furnizim me eksploziv. D.m.th krejt muajin s’kemi pas prodhim fare. E kjo nuk është për fajin e punëtoreve. E, muaji mars na ka godit edhe për të ardhmen se s’është punuar hiç”.

Lexo po ashtu Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës: Minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor

Ndryshe, në lidhje me këtë sot kanë reaguar edhe nga Sindikata e Punëtoreve të Trepçës.

Në reagimin e tyre thuhet se qeveria nuk ka aspak interesim për fatin e minierës dhe minatorëve.

Më tej, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës thotë se “një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepca Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

Exit mobile version