Pas pesë javëve në grevë, nxënësit i janë kthyer sot bankave shkollore, pasi SBASHK-u mori vendim për pezullimin e grevës deri në janar të vitit 2023.
Por pavarësisht fillimit të procesit mësimor, Qeveria siç duket ka vendosur t’i ndëshkoj të gjithë grevistët në këtë rast edhe mësimdhënësit duke mos ua ekzekutuar pagat për muajin shtator.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i ka thënë Telegrafit se pagat për muajin shtator u janë ekzekutuar zyrtarëve të cilët kanë dalë në punë.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva”, ka thënë Kryeziu.
Neni 18 i Ligjit për Greva thotë se ‘Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës’, si dhe Ligji për Plotësim-Ndryshimin e Ligjit për Greva, neni 7, pas togfjalëshit ‘Kontrata e Punës’, shtohet fjalia ‘duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar’.
Anëtari i Këshillit Grevist të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK), Reshit Kushaj ka thënë se pagat e mësimdhënësve për muajin shtator ende nuk janë ekzekutuar.
Në një përgjigje për Telegrafin, Kushaj tha se janë duke pritur që të dalin pagat për këtë muaj.
“Pagat e mësimdhënësve për muajin shtator nuk kanë dal ende, me siguri që do të dalin vetëm se ka probleme teknike”, tha shkurt Kushaj.
Ndryshe opozita e ka konsideruar këtë veprim si hakmarrje politike, derisa PDK-ja ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.
“Ne presim një afat prej pesë ditëve që të ekzekutohen pagat, nëse deri të enjten nuk ekzekutohen pagat do të bëjmë kallëzim penal ndaj ministrit në Prokurorinë Speciale. Mosekzekutimi i pagave është vepër penale. Ne shpresojmë që të mos vie puna deri aty por ju e shihini se kemi një ministër të papërgjegjshëm e arrogantë”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Të shtunën me 1 tetor, BSPK-ja përmes një konference për media zyrtarisht bëri të ditur se greva, e nisur më 25 gusht, do të pezullohet deri në muajin janar 2023. /Telegrafi/