Telegrafi

Moscertifikimi i disa kandidatëve, AAK-ja dorëzon ankesën në Gjykatën Supreme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot e ka dorëzuar ankesën në Gjykatën Supreme pas vendimit të Panelit Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresave (PZAP) i cili thotë se disa nga kandidatët të cilët kanë probleme me ligjin nga këto parti politike nuk mund të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Kushtrim Xhemaili nga Zyra e informimit të AAK-së.

“Po sot e kanë dorëzuar ankesën në Gjykatën Supreme”, ka thënë shkurt Xhemaili.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të martën ka publikuar vendimet lidhur me ankesat e partive politike për shkak të mos certifikimit nga ana e KQZ-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në ankesën e bërë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, PZAP ka refuzuar një pjesë të apelit, kurse ka vërtetuar vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e kandidatëve të këtij subjekti.

Kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati sipas vendimit të PZAP-së, nuk do të mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë. /Telegrafi/