Site icon Telegrafi

“Mos u merakos ti për këtë punë”, përgjigja e Konjufcës ndaj Zemajt shkakton të qeshura në Kuvend

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është i njohur për batuat e tij që i bën herë pas here në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Një të tillë e bëri edhe në seancën plenare të së enjtes, duke shkaktuar të qeshura në Kuvend.

Gjatë votimit të raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, sipas Administratës së Kuvendit në herën e parë morën pjesë vetëm 59 deputetë.

Kjo krijoi habi tek Konjufca pasi sipas administratës, katër deputetë të pozitës nuk morën pjesë fare në votim.

Ai i kërkoi edhe një herë deputetëve që të votojnë, ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i tha se ky është presion ndaj deputetëve.

Konjufca iu përgjigj me sarkazëm, duke i thënë se “ky zotëri Zemaj nuk është kurrfarë presioni, këtu kemi me votu tri herë në daç me ditë, edhe herën e parë e përfunduam, tash kalojmë në herën e dytë, mos u merakos ti për këtë punë”.

Kujtojmë se, shprehja ‘mos u merakos’ ishte bërë virale një kohë në “TikTok” për shkak të përdorimit të shpeshtë nga personazh i njohur në këtë rrjet social. /Telegrafi/

Exit mobile version