Telegrafi

Mos të preken varrezat, larg qoftë Marsi 2004!

Ka vlerësime se kjo frashtë ka nisur t’i ngjajë rebelimit të shqiptarëve në mars të vitit 2004, që rezultoi me viktima dhe shkatërrimin e disa objekteve të serbëve

Analisti politik Shkelzen Maliqi ka thënë për Telegrafin se hakmarrja e tillë do ta ulte imazhin e Kosovës, duke e bazuar me veprimet destruktive të palës serbe.

“Në asnjë rrethanë nuk duhet të imitohet armiku. Trazirat ndëretnike e dëmtojnë rëndë edhe Kosovën edhe Serbinë në procesin e integrimeve evropiane. Reagimet nacionaliste nuk kanë vend” ka thënë Maliqi.

Por, ai vlerëson se aktualisht situata nuk duket se do të përshkallëzohet sikur ndodhi në mars të vitit 2004, për shkak se tash janë më të konsoliduara organet shtetërore dhe ka një kontekst tjetër politik.

Ndërsa, kryeredaktori i gazetës Zëri, Astrit Gashi, ka vlerësuar se ngjarjet e marsit 2004 nuk bën të përsëriten.

“Si pasojë e tyre kemi Pakon e Ahtisaarit dhe unë natyrisht që kam parë shenja që diçka e tillë mund të ndodhë. Qytetarët ishin të indinjuar dhe të lënë vetë, një atmosferë kjo që lehtë mund të shndërrohej në marrje në duar të drejtësisë nga qytetarët. Pra, në kaos”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij, ka pak rëndësi nëse veprimet kundër varrezave të serbëve janë si hakmarrje apo me ndonjë qëllim tjetër.

“Sado të indinjuar që jemi me veprimet e shtetit serb, ne nuk duhet si individ të marrim drejtësinë në duart tona, por duhet që të insistojmë që mendimet tona të përcillen me veprime shtetërore. Dëmtimi i varrezave jep një karakter edhe fetar, që nuk ekziston- dhe pas të cilit Serbia është fshehur një kohë të gjatë”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/