Telegrafi

Mos shpenzoni kot para në pastrim kimik: Pastroni rrobat e lëkurës me pluhur të cilin me siguri e keni në shtëpi!

Keni rrobë të mirë lëkure, por vitet ia kanë hequr shkëlqimin apo i kanë shkaktuar ndonjë njollë. Mos u brengosni, ekziston zgjidhja bashkë me të cilën me xhaketën e preferuar këtë vit do ta keni edhe më ngrohtë.

Disa preparate të cilat shumica e njerëzve i kanë në shtëpi janë shumë të dobishme. Njëri ndër ta është pudra për bebet, për të cilën dikur e kanë ditur që është e shkëlqyeshme për shputa të djersitura, andaj njerëzit pa e kursyer e kanë qitur në këpucë.

Tani aplikimi i saj është zgjeruar aq shumë sa që jo rrallë gjendet në çantat e grimit të femrave si ndihmë me rastin e vënies së maskarasë apo buzëkuqit, për vëllim apo për larje të thatë të flokëve…

Pudra për bebe mund të jetë e mirë për krehjen e kanakarëve shtëpiakë, heqjen e rërës nga tabanët dhe eliminimin e njollave nga rrobat…

Po ju japim këshillën se si me ndihmën e pudrës së bebeve të freskoni xhaketën, fundin, pantallonat dhe këpucët nga lëkura, por edhe se si nga rroba e lëkurës e kthyer mbrapsht t’i eliminoni njollat e yndyrta, transmeton Telegrafi.

Për të freskuar rrobat e lëkurës, fërkoni pak pudër në pjesën e xhaketës apo fundit dhe pastaj fshini me leckë mikrofibrash.

Me durim dhe ngadalë kaloni çdo pjesë të xhaketës, posaçërisht kujdes kushtoni jakës, pjesës së duarve afër nyjave, pastaj skajit të poshtëm, zakonisht në ato vende xhaketa e lëkurës në së shumti është e dëmtuar.

Për t’i hequr njollat e yndyrta nga lëkura e kthyer mbrapsht, ju nevojitet: pudra e bebeve, fërkuesi plastik, fasoleta letre, thithësja e pluhurit.

Nëse rastësisht qitni vaj në ndonjë rrobë lëkure, menjëherë duhet të reagoni. Eliminoni tepricën e vajit me fasoletë letre. Shtypeni fuqishëm fasoletën në vendin e njollës, mirëpo mos e fërkoni.

Mbulojeni tërë njollën me pudër bebeje, lëreni ashtu të qëndrojë më së paku katër orë, më mirë është gjatë natës. Pastaj hiqeni tepricën e pudrës me fërkues plastik dhe me thithëse pluhuri thitheni pudrën e mbetur.

Përsëriteni procedurën nëse njollën nuk e keni eliminuar tërësisht. /Telegrafi/