Ndodh një ngjarje e bujshme kriminale, përgjigja e parë: mos e përdorni politikisht!
Zbulohet një aferë korruptive, skandalet pasojnë njëra-tjetrën, dhe reagimi i parë: mos e politizojmë?
Emigrimi në rritje. Vendi zbrazet. Përgjigja e parë: mos e përdorni politikisht.
Çmimet e inflacioni në rritje: mos i përdorni politikisht.
Rrogat e pensionet në gropë. Përgjigja: mos politizoni.
Zjarret bëjnë kërdinë. Reagimi i shpejtë: mos i përdorni politikisht.
Bie tërmet. Reagimi parë: mos politizoni fatkeqësinë.
Pandemia: mos bëni politikë me pandeminë.
Bie shteti digjital. Reagimi i shpejtë: mos e përdorni politikisht.
Investitorët strategjikë dalin amerikanë nga Kuçova e zviceranë nga Peqini. Përgjigja shteruese: mos e politizoni biznesin.
Në ngarkesat me kokainë kapet edhe ndonjë arkë me banane. Përgjigja: mos e përdorni politikisht.
Atëherë: Pse duhet politika?
Nëse i referohemi kuptimi të vjetër të fjalës greke: politikë do të thotë “çështje të qytetit/vendit”. Pra, në shqip thirrja mos politizoni është: mos u merremi me çështjet e vendit?!
Kjo e ka edhe një të mirë të madhe: nuk kemi më nevojë për politikanë.