Site icon Telegrafi

Mospajtime për mbylljen e shkollës në Drenas

Komuna e Drenasit ditë më parë kishte marrë vendim për mbylljen e disa shkollave në këtë komunë, me arsyetimin se nuk ka numër të mjaftueshëm të nxënësve dhe mundësi buxhetore për të funksionuar këto shkolla.

Njëra nga këto shkolla e cila është mbyllur është edhe ajo “Abedin Bujupi” në fshatin Gjurgjicë. Një qytetare e cila ka dashur të mbetet anonim i ka thënë Telegrafit se nxënësit e kësaj shkolle kanë mbetur në shtëpi dhe nuk janë duke e vijuar mësimin në asnjë shkollë tjetër.

“Kjo shkollë është mbyll dhe nxënësit kanë mbetur në shtëpi. Prindërit kanë protestuar para komunës së Drenasit duke kundërshtuar mbylljen e shkollës”, ka thënë qytetarja, e cila ka treguar po ashtu se nxënësit e kësaj shkolle nuk janë bartur në asnjë shkollë tjetër.

Mirëpo ndryshe thonë në komunën e Drenasit. Drejtori i drejtorisë së Arsimit në këtë komunë Tafil Halilaj, i ka thënë Telegrafit se nxënësit e kësaj shkolle
janë bartur në shkollën amë “Abedin Bujupi” në fshatin Arllat.

“Prindërit e këtyre nxënësve kanë protestuar duke e kundërshtuar këtë vendim. Është duke punuar shkolla amë, ua kemi sigurua transportin. Janë 36 nxënës të kësaj shkolle të cilët janë bartur në shkollën amë “Abedin Bujupi” në Arllat”, ka thënë Halilaj.

Ai ka treguar se nxënësit ende nuk ja kanë filluar mësimit por që sipas tij, drejtoresha e shkollës “Abedin Bujupi” i ka thënë se këta 36 nxënës do të fillojnë mësimin prej të hënës.

Kujtojmë se kundër vendimit për mbylljen e shkollave në komunën e Drenasit ishte deklaruar edhe vetë Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi. Ai pas një takimi që kishte pasur me banorët pati thënë se vendimi është i pabazuar dhe i gabueshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version