Në marrëdhëniet njerëzore, kur dikush ndihmohet nga tjetri, normalisht që është i pritshëm edhe falënderimi apo shpagimi ndaj asaj të mire. Ndërsa në situatat kur shpagimi është praktikisht i pamundur, në kulturën tonë popullore ekziston një thënie e moçme dhe shumë domethënëse, “mos ma kthe me t’keq!”. Thënie kjo me nënkuptim të caktuar, shpesh të dyfishtë, po që tingëllon sipërfaqësore dhe jo fort e dëshiruar për veshin e njeriut. E pikërisht tani po përjetojmë ndjesinë sikur ai “falënderimi” ynë i vazhdueshëm për një të mirë të madhe u shkërmoq, e disi u zhbë brenda minutash. Që në një mënyrë ngjan sikur vërtet “e kthyem me t’keq”.
Lajm i keq
Askush nuk tha që “një banor gjerman vrau ushtarët amerikanë…”! Të gjithë e thanë, madje me zë të lartë se vrasësi ishte nga Kosova, mysliman dhe kishte thënë: “Allahu Ekber”. S’mund të thuhej ndryshe, anipse i riu nga Mitrovica mund të ishte shtetas apo banor i përhershëm gjerman. Ai tekefundit është shqiptar dhe ç’është më e keqja kreu krim me një skenar të tmerrshëm, që as mendjet më pjellëkëqija të Beogradit nuk do dinin ta stisnin. Dukej si shakaja më e keqe, që doli e vërtetë! Sa shokuese. Sa e papranueshme. Lajmi më i hidhur i radhës, në vazhdën e lajmeve hiç të mira që kanë të bëjnë me Kosovën tash e sa muaj. Episodi më tragjik në marrëdhëniet Kosovë-SHBA.
Mos na vrisni!
Populli shqiptar i detyrohet shumë miqve të tij perëndimorë. Historia e ka treguar këtë që nga ekzistencializmi i Shqipërisë e deri te historia moderne e Kosovës. Sigurisht, ne nuk kemi kapacitete ekonomike dhe burime natyrore për t’ua kthyer miqve tanë të mirat që na kanë bërë. Ne as nuk notojmë në naftë, që të joshnim amerikanët për investime të tyre, për t’ua shpaguar mundin politik e ushtarak. Bile as ata nuk kanë pritur e as nuk po presin që ne t’ua kthejmë të mirën, falënderimin. Për miqtë tanë amerikanë falënderim do të ishte që ne të bëhemi të mirë e të suksesshëm për veten, jo për amerikanët. Të punojmë mirë për veten, jo për amerikanët. Të forcojmë veten, të zhvillojmë veten. Jo amerikanët.
Tash çka t’u themi atyre? Çka të presin nga ne? Të arsyetohemi se ishte vetëm një rast i izoluar dhe se rastësisht dorasi na paska qëlluar të jetë shqiptar? Apo ndoshta duhet të presim që miqtë tanë amerikanë të na kuptojnë, të mbyllin sytë e të na kërkojnë vetëm diçka. Që në vend të falënderimit, së paku të MOS I VRASIM! Jo për diçka të tillë! Por ka ndodhur. E frika është se mund të ndodhi sërish, sepse kjo mënyrë sjelljeje e disa shqiptarëve ka filluar të lëshojë rrënjë, e të marrë edhe formë.
Homazh
Kosova u godit sërish. Në ditët kur më së paku pritej. Dhe në këtë rast nuk u godit nga jashtë, nga Serbia, por u godit nga brenda, vetvetja. Akti i vrasjes së tmerrshme përbën lajm në çdo faqe gazetash ndërkombëtare, faqe interneti, zyra diplomacish. Dhe pothuaj në çdo rast përmendet edhe Kosova, sepse ishte një kosovar në pyetje. Ky është rasti më tipik kur vepra e një individi nuk dëmton apriori vetë individin, por dëmton mbarë një shoqëri, shtet të tërë. Kjo ngjarje na njollos të gjithëve sepse nuk është vrasje me motive të ulëta, apo vrasje e lidhur me një krim ordiner. Por, janë vrarë pjesëtarë të ushtrisë amerikane. Ushtri për të cilën dikur një popull i tërë jemi lutur të na shpëtojë e çlirojë nga armiku gjatë ditëve më të vështira të ekzistencës tonë. E ajo na shpëtoi, çliroi e vazhdon të na mbrojë.
Më e keqja në gjithë këtë histori është se ky akt nuk përbën një rast të izoluar. Shembuj aktesh me motive të ngjashme kanë ndodhur edhe më herët. Ky është një tregues i qartë se në çfarë labirintesh të qorra po shkojnë një grup shqiptarësh, nëse mund të quhen të tillë. Ngushëllimi i familjeve të ushtarëve apo një dënim retorik verbal i aktit është i pamjaftueshëm e po kaq patetik. Një homazh për të vrarët nuk arsyeton gjë. Sepse, ajo që tani më së shumti ka nevojë për një homazh, është vet Kosova.