Site icon Telegrafi

Mos luani me tokën!?

Nuk e di nëse ka ndonjë popull në botë që është kaq shumë i lidhur me tokën e tij si populli shqiptar. Por, e di që toka ka qenë pjesë e pandashme e kulturës, jetës, trashëgimisë, luftës dhe besës së shqiptarit. Vlera e tokës ka qenë e pazëvendësueshme dhe ajo është konsideruar si e shenjtë (“Kjo tokë nuk shitet” ose “Toka nuk paguhet me ar”). Toka ka qenë burim i jetës dhe i mirëqenies sociale (“Toka e bukës” ose “Balta është më e ëmbël se mjalti”), madje toka ka qenë burim i lidhjes shpirtërore (“Toka e të parëve tanë” ose “Amanetin e mban toka”), i besimit (“Kjo tokë e lindi, kjo tokë e mori”) dhe i mallëngjimit (“Mos harro tokën që të lindi”). Toka ka qenë simbol i burrërisë, mençurisë dhe trimërisë (“Për tokën jap edhe kokën” ose “Burri i dheut”), simbol i besës (“Pasha tokën e të parëve” ), i legjendave (“Dheu është flori”), i mallkimit (“Qysh po na mbanë kjo tokë” ose “Të lëshoftë toka”), dhe i urimit ( “Lumja toka që të lindi” ose “Lumja toka që e shkel me këmbë”). Mjafton t’i përmendim vetëm disa tituj dhe do të kuptojmë se toka ka qenë frymëzim i pashterur edhe për krijimtari letrare e artistike ( “Toka jonë”, “Toka e përgjakur”, “Tokë e ndezur“ ).

Në fakt, kjo lidhje kaq e fortë për tokën nuk është e rastit. Toka është pasuria më e madhe e një vendi. Ajo është baza e ekonomisë si dhe burim i pasurive nëntokësore dhe mbitokësore. Ajo është e pakrahasueshme me pasuritë tjera, sepse është mjet i pazëvendësueshëm për prodhimin e ushqimit dhe të mirave tjera materiale. Toka është vendbanimi i të gjitha gjallesave, vendbanim i njeriut dhe mbartëse e vlerave natyrore e turistike, vlerave të trashëgimisë kulturore e arkeologjike, e resurseve ujore dhe e resurseve minerale. Pra, toka është resursi bazë për zhvillim, mirëqenie sociale dhe ardhmëri të një shoqërie. Duke e marrë për bazë këtë fakt, do të duhej që edhe kujdesi dhe sjellja e jonë ndaj tokës të ishte mbi të gjitha prioritet tjera. Por, duke e parë situatën aktuale dhe qasjen që kemi ne si shoqëri ndaj saj, lindin shumë dilema dhe nuk mundet assesi të anashkalohet pyetja: a po i japim tokës sonë rëndësinë dhe trajtimin që e meriton?

Qëllimi i këtij shkrimi është të trajtojë vetëm një segment të kujdesit që kemi ne ndaj tokës. Ky shkrim synon të vë në fokus kujdesin që ne si shoqëri kemi ndaj ruajtjes dhe mbrojtës së dheut nga ndotja dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të saj.

Situata aktuale në terren, por edhe raportet dhe hulumtimet e prezantuara deri sot kanë vënë në pah se ajo jonë është duke u ndotur çdo ditë e më shumë. Numri i madh i deponive të mbeturinave komunale, qofshin ato legale apo ilegale, është njëri prej burimeve më të mëdha të ndotjes së tokës. Deponitë e makinave të vjetra po ashtu janë burim i ndotjes së tokës me kimikate dhe karburante e vajra e të përdorura. Deponitë e mbetjeve industriale, si dhe deponitë tjera me materiale me prejardhje nga aktivitetet e industrisë, paraqesin një burim tjetër të kontaminimit të tokave tona. Ndërkohë që përdorimi i pakontrolluar i plehrave kimike, pesticideve dhe kemikateve bujqësore ka ndikim të dukshëm në ndotjen e tokave sikurse edhe derdhja ujërave të kanalizimeve.

Ndotja me metale të rënda dhe me kimikate të ndryshme e tokës është konstatuar në disa hulumtime. Kjo situatë bëhet më alarmante kur kuptojmë se edhe tokat e bukës janë të kontaminuar nga këto substanca, që e jep mundësinë që përmes zinxhirit ushqimorë të kontaminohen edhe produktet tona ushqimore dhe të rrezikohet shëndeti publik.

Edhe sa do të zvogëlohen sipërfaqet e tokës së bukës? Janë tejet shqetësuese dhe alarmante të dhënat që flasin se në Kosovë, për çdo vit, rreth 500 hektarë të tokës bujqësore e ndërrojnë destinacionin e tyre. Vendbanimet e paplanifikuara, ndërtimet pa leje në toka bujqësore, zgjerimi i zonave industriale dhe bizneseve, gurëthyesit, deponitë e ndryshme, ndërtimi i rrugëve dhe autostradave janë vetëm disa prej formave të humbjes së tokës bujqësore, pa u ndalur të analizojmë humbjen e tokës pjellore si shkak i erozionit, vërshimeve dhe përmbytjeve. Edhe më shqetësuese është e dhëna se ky trend i tjetërsimit të tokës bujqësore po vazhdon ndërkohë që ende nuk ka ndonjë mekanizëm për parandalimin e tij. E bashkë me këtë, fare nuk na bëjnë përshtypje të dhënat dhe faktet që flasim se Kosova gjithnjë e më pak po i plotëson nevojat e saj me prodhimin e rendimentit të grurit.

Cili është kujdesi institucional? Se sa kujdesen institucionet tona qeveritare (në rastin konkret Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural), për mbrojtjen nga ndotja, më së miri e tregon fakti se sot 13 vjet pas luftës ende nuk kemi një Strategji për Mbrojtjen e Tokës nga Ndotja dhe as një Program të Monitorimit të gjendjes së tokës (dheut). Madje, është e pabesueshme kur dëgjon që në asnjërën nga këto dy institucione nuk ka një resor të veçantë që merret me mbrojtjen e tokës nga ndotja dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të saj. Si rrjedhojë e kësaj ne ende nuk kemi të dhëna reale për gjendjen e tokave dhe nivelin e ndotjes së tyre, andaj mbesim të hutuar dhe pa përgjigjeje konkrete, kur raportet dhe hulumtimet e institucioneve ndërkombëtare sikur ishte ai i EULUP-it, dalin me të dhëna dhe na tregojnë se sa e ndotur është toka jonë.

Çka mund të bëhet? Në radhë të parë duhet të përgatitet një Strategji për Mbrojtjen e Tokës nga ndotja dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të saj, ku duhet të përfshiheshin masat konkretë për zvogëlimin e ndotjes së tokës nga industria dhe sektorët tjerë, masat për ndërprerjen e trendit të ndërrimit të destinacionit të tokës, si dhe masat për zvogëlimin e erozionit. Duhet të hartohet një program për monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë. Duhet fuqizohet sektori për mbrojtjen nga ndotja përmes ngritjes së kapaciteteve institucionale, përmes rritjes së fondeve, programeve dhe projekteve konkrete në këtë sektor. Edhe shoqëria civile duhet të aktivizohet më seriozisht në ngritjen e zërit kundër ndotjes dhe shfrytëzimit të tokës, ndërkohë që mediat duhet të bëjnë më shumë në informimin e opinionit për pasojat e ndotjes së tokës dhe zënies së sipërfaqeve të tokës së bukës.

Ka edhe shumë çka të flitet e të shkruhet se si duhet vepruar për të mbrojtur tokën, por në pamundësi që në një opinion të thuhet të gjitha, ky shkrim le të shërbejë së paku si sinjal për të grisur ndërgjegjen tonë shoqërore.

Mos luani me tokën?! Është momenti i fundit që Ne si shoqëri të bëjmë më shumë për tokën, në të kundërtën mallkimi popullor “Ju lëshoftë toka”, mundë të tingëllojë shumë real për të gjithë ata që kanë mundësi të bëjnë më shumë dhe që vazhdojnë të qëndrojnë indiferent ndaj kësaj çështje.

 

Exit mobile version