Telegrafi

“Mos më lini vetëm me Trumpin!”, kjo ishte kërkesa e ish-drejtorit të FBI për Prokurorin e Përgjithshëm

“Mos më lini vetëm me presidentin!”. Është kjo ajo që ish-drejtori i FBI, James Comey, i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, në shkurt, pas një takimi privat me presidentin Trump.

Lajmi është publikuar së fundmi në mediat amerikane, të cilat raportojnë se Comey i ka cilësuar takimet private mes tij dhe presidentit republikan si të papërshtatshme.

Në takimin e zhvilluar në shkurt, Trump i kërkoi Comey-t të përfundonte hetimin mbi ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn.

Mediat gjithashtu raportojnë se Comey i ka kërkuar prokurorit të përgjithshëm ta mbrojë FBI-në nga ndikimi i Shtëpisë së Bardhë, përcjell Dita.

Aktualisht, as Prokurori i Përgjithshëm, Sessions nuk duket të ketë një marrëdhënie të mirë me presidentin Trump. Ai e ka mënjanuar veten nga çdo përfshirje në hetimin mbi Rusinë, ndërkohë që i ka paraqitur presidentit edhe kërkesën për dorëheqje, gjë që është refuzuar nga Trump.

Ish-drejtori, James Comey, do të dëshmojë në Capitol Hill ditën e enjte lidhur me bisedat e tij me presidentin Trump.

Kjo do të jetë hera e parë që ai flet publikisht për këtë temë.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se arsyeja për heqjen nga puna të Comey ishte mënyra si ai trajtoi hetimin e emaileve të ish-kandidates Hillary Clinton.

Ndërkohë presidenti Trump është shprehur se shkarkimi i ish-shefit të FBI-së ka ardhur si pasojë e punës jo të mirë që ai po bënte në drejtimin e byrosë investigative.