30 prill 1945, pak ditë para fundit të Luftës së Dytë Botërore. Në bunkerin e kancelarit të rajhut në Berlin Adolf Hitler vret veten me një plumb në kokë. Njeriu, nën diktaturën e të cilit Gjermania dhe bota u zhytën në një luftë mizore dhe që vrau gjashtë milionë hebrenj. Se çfarë kishte planifikuar ky njeri, kjo mund të ishte mësuar rreth 20 vjet më parë.
Gjatë qëndrimit në një burg në vitin 1924 Hitleri kishte nisur të shkruante një libër: “Mein Kampf”. Një vepër cytëse plot urrejtje ndaj hebrenjve, me të cilën u shpall njëkohësisht lufta brutale pushtuese kryesisht në Evropën Lindore. Ky libër tashmë del në shitje të lirë në tregun gjerman, pasi 70 vjet pas vdekjes ka skaduar afati i të drejtave të autorësisë. Deri më sot landi shtet i Bavarisë, si trashëgimtar i veprës e kishte penguar ribotimin. Vendimi argumentohej se synohet të ndalohet përhapja e mendësisë nacionalsocialiste dhe gjithashtu duhet pasur kujdes për viktimat e diktaturës nacionalsocialiste.
A duhet të kemi ne frikë nga ky libër dhe fjalët e tij përçmuese ndaj njeriut? Fjalët mund të jenë të forta dhe të rrezikshme. A është e papërgjegjshme që tani këtë libër të vrasësit në masë Adolf Hitler ta lejosh të shitet lirisht nëpër librari? Unë mendoj: jo. Absolutisht jo. Sepse Gjermania ka ndryshuar. Gjermania e shekullit të XXI-të nuk është më ajo e Republikës së Vajmarit, në të cilën demagogët e djathtë me ndihmën e një propagande të rafinuar mundën t’i manipulojnë masat. Asokohe shumica e gjermanëve ende karakterizohej prej strukturave autoritare të perandorisë, që ishin skeptike madje edhe refuzuese kundrejt demokracisë së re.
Por, sot njerëzit sërish brohorasin parulla të djathta, mund të thonë disa kritikë. Po, kjo është e vërtetë, këtë e tregojnë demonstratat e lëvizjes Pegida apo postimet plot urrjetje në rrjetet sociale. Por sot këto nuk përfaqësojnë shumicën. Shumica e gjermanëve qëndron solide në themelet e demokracisë. Gjermania është – e këtë e shohim në radhë të parë në planin krahasimor ndërkombëtar – një demokraci e qëndrueshme. Për këtë ne duhet të vazhdojmë të luftojmë gjithmonë, edhe kjo është e qartë. Por demagogjia e “Mein Kampf” 70 vjet pas luftës nuk ka përse të ngjallë më frikë.