Site icon Telegrafi

Mos injoro sëmundjet nga brejtësit e vegjël

Endri Haxhiraj
mjek veteriner

Brejtësit e vegjël, zakonisht blihen në petshop, por edhe mund të dhurohen, adoptohen. Së pari duhet menduar nëse ekzistojnë mundësitë për të marrë një kafshë të tillë. Së dyti, nëse vendosni për të strehuar një brejtës, atëherë sigurohuni se ai është i shëndetshëm, nuk ka shenja kafshimi, nuk ka shkarkime nga sytë dhe hunda, dhe lëviz normalisht.

Strehimi, pikënisja e bashkëjetesës me një brejtës të vogël! Brejtësit janë përgjithësisht kafshë të pastra, por kafazet e tyre mund të mbajnë shumë shpejt erë. Për të parandaluar kutërbimin është i nevojshëm pastrimi i rregullt i kafazit dhe parandalimi i super-popullimit të kafazit. Shtresa e kafazit duhet të ndërrohet çdo 3 ditë dhe të lahet dhe dezinfektohet të paktën një herë në muaj. Asnjëherë nuk duhet të mbahen specie të ndryshme brejtësish në të njëjtin kafaz. Ata do të luftonin deri sa të "vrisnin" njëri-tjetrin.

Megjithëse brejtësi mund të jetojë edhe në hapësirë shumë të vogël, është e rekomandueshme që kafazi të jetë sa më i madh. Kafazet e ndërtuar nga vetë pronari duhet të jetë të pabrejtshëm nga dhëmbët e brejtësve, të mos kenë prani të plumbit dhe sipërfaqe dëmtuese për kafshën, të kenë ajrim të mjaftueshëm dhe të jenë të përshtatshme për dezinfektim. Ajrimi është shumë i rëndësishëm, sepse ul në mënyrë drastike rrezikun për probleme respiratore, infeksionet dhe erën e padëshirueshme.

Kafazi nuk duhet pozicionuar asnjëherë direkt me rrezet e diellit, të cilat mund të rritin temperaturën e kafshës (vdekjeprurëse). Temperatura normale që ata preferojnë është 24 ºC, megjithatë kjo varet nga lloji i racës dhe kafshës.

Transporti i brejtësve kryhet lehtësisht me kuti të vogla kartoni në distanca të shkurtra dhe në kuti plastike, në distanca të gjata. Ne duhet të sigurohemi se në kuti hyn mjaftueshëm ajër.

Rreziqet nga brejtësit si kafshë shtëpiake:
Sipas Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve në ShBA (CDC) ka afërsisht 1.4 milionë raste të infeksionit me Salmonela çdo vit në njerëz. Shumica e rasteve vijnë nga ushqimi i kontaminuar i pronarëve të brejtësve të vegjël. Rastet e sëmundjeve të shfaqura duken të frikshme, por është e rëndësishme të dihet se shumica e tyre janë të parandalueshme dhe në rastin më të keq, të kurueshme. Megjithatë, nuk duhen injoruar kurrë.

/Telegrafi/

Exit mobile version