Dhuna në Lindjen e Mesme nuk do të ndalet derisa të përfundojë lufta në Gazë.
Kështu ka thënë zëdhënësi i Hezbollahut, Ibrahim Moussawi, në një intervistë për Sky News, me anë të së cilës kritikoi Perëndimin dhe u tall me veprimet e Izraelit, përcjell Telegrafi.
Ibrahim Moussawi shtoi: “Askush nuk ka interes të hyjë në një konfrontim të hapur, luftë gjithëpërfshirëse në rajon, sepse kjo mund të çojë në gjëra tjera”.
Moussawi vazhdoi duke thënë: “Në të njëjtën kohë, ne nuk duam të kemi një përballje gjithëpërfshirëse. Por nëse na imponohet, do të shohim rezultatet”.
Siç thekson zëdhënësi i Hezbollahut, “nëse izraelitët sulmojnë përsëri, atëherë do ta shohin kapacitetin ushtarak të Iranit dhe Hezbollahut”.
Duke folur për një fund të mundshëm të armiqësive në rajon, Moussawi tha se përgjegjësia i takon Perëndimit.
“Për të arritur një marrëveshje, ata duhet të ndalojnë agresorin. Ata duhet të ndalojnë Netanyahun dhe një tufë tjerë idiotësh”.
Gjithashtu, ai fajësoi vendet perëndimore për përshkallëzimin e krizës në rajon.
“Nëse doni të shihni qetësi përsëri, ndaloni agresionin e Izraelit. Ju e keni fuqinë për të ndaluar agresionin izraelit”, tha Moussaw.
“Të gjithë po presin municionet dhe furnizimet ushtarake nga SHBA-ja dhe Perëndimi për të vazhduar vrasjen e fëmijëve dhe grave në Gazë. Askush në qeveritë perëndimore nuk është i gatshëm të ndalojë furnizimin e Izraelit me municione dhe në të njëjtën kohë ata hedhin disa porcione ushqim mbi kokat e njerëzve e në të njëjtën kohë i vrasin ata”, shtoi zëdhënësi i Hezbollahut.
Ndryshe, komentet e Moussawit vijnë pas sulmit izraelit në bazën ajrore ushtarake dhe qendrës bërthamore në Isfahan të Iranit.
Kur u pyet në lidhje me sulmin, Moussaw tha se “nuk ka dëgjuar kurrë për një gjë të tillë”. /Telegrafi/