Ngërçin tonë kushtetues midis presidentit dhe kryeministrit për respektin instiitucional të ndarjes, balancës dhe kontroll të pushteteve duhet ta zgjidhim brenda vendit tonë dhe vetëm në rrugë kushtetuese. Debati për përfshirjen ose jo të kolegëve nga Kosova në qeveri, deklaratat në distancë dhe debatet intensive pro dhe kundër në rrjetet sociale, rrezikojnë të krijojnë efekte jo pozitive në ndjesitë publike në Kosovë dhe në bashkëpunimin e ardhshëm, jo vetëm në nivele qeveritare.
Shqipëria nuk ka pse t’i kërkojë falje Kosovës nëse një i përzgjedhur i presidenti, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit nuk behet dot ambasador, shef shtabi i ushtrisë, zëvendësministër, ministër apo zëvendëskryeministër në Shqipëri. Politikanët shqiptarë të çdo force politike dhe intelektualët nga të gjitha trojet shqiptare nuk duhet të nxisin negativitetin dhe agresivitetin në asnjë debat të brendshëm që ndikon negativisht në opinionin publik të dy vendeve.
Kemi nevojë për më shumë maturi; na duhet më shumë përgjegjësi institucionale dhe publike, sidomos në njohjen dhe respektin e zgjidhjeve kushtetuese, sesa deklaratat publike që nxisin dhe prodhojnë emocione jo pozitive, agresivitet dhe negativitet publik. Kosova e njeh dhe e vlerëson maksimalisht kontributin e shteti amë në kapërcimin e vështirësive të saj duke filluar me përballimin e krizës më të madhe humanitare që ka njohur Ballkani; Kosova njeh dhe vlerëson maksimalisht kontributin e Shqipërisë mëmë në fitimin e luftës për pavarësi, në mbështetjen për ngritjen, njohjen dhe konsolidimin ndërkombëtare të saj.
Për promovimin apo mos promovimin e emrave konkretë dhe pa asnjë kontribut të spikatur publik, sidomos për Kosovën, kënaqen ose mund të mërziten vetëm sponsorizuesit e tyre privatë, por kurrë jo populli fisnik dhe i përvuajtur i Kosovës.
Kriza humanitare 1999 eliminoi paragjykimet reciproke, krijoi miqësi të përhershme, rriti dashurinë dhe respektin reciprok që ndjehen edhe sot. Siç thotë edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare: “Ra ky /ai mort e u pamë”, u rrëzuan barrierat paragjykuese reciproke që kishin rrënjë të sëmura historike, jo vetëm ideologjike, u lehtësua bashkëpunimi midis dy popujve, qeverive tona dhe vendeve tona. Ky bashkëpunim, integrim deri në bashkim në një vend të vetëm, është inspiruar si një proces që i përfshin të gjitha vendet e Ballkanit në të ardhmen e përbashkët euro-atlantike.
Ky vizion duke qenë i bazuar tek paqja dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor nuk është kundër askujt dhe është pro të gjithëve përfshi edhe Serbinë dhe serbët, boshnjakët, maqedonasit dhe shqiptarët kudo që ndodhen në Ballkan.
Duhet përmirësuar çdo ditë e ardhmja jonë bazuar kryesisht në sukseset e qeverive, duke krijuar respektin, dashurinë dhe bashkëpunimin e përbashket si një komb i vetëm, në mënyrë paqësore dhe brenda projektit inspirues të Bashkimit Evropian.