Telegrafi

“Mos e ngrit zërin”, Lekaj e Rizvanolli përplasen në Komision lidhur me kërkesat e minatorëve

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, është përplasur me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin, në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi, ku ajo po raportonte lidhur me grevën e minatorëve të Trepçës.

Përplasja nisi pasi Lekaj e akuzoi Rizvanollin se po qeshte me kërkesat e minatorëve, ndërsa të njëjtës iu drejtua duke thënë se nuk është për të qeshur por për të qarë.

“Me kanë në pozitën tande, unë kisha kajt sot, jo me ardh këtu me shit mend. Një ministre që qeshet me kërkesat e minatorëve, unë nuk e di atëherë pse ekziston si ministre”, tha deputeti.

E Rizvanolli ia ktheu se nuk qeshi me kërkesat e minatorëve, por me një deklarim të mëhershëm të Lekajt.

“Z.Lekaj, unë nuk qesha me kërkesat e minatorëve, por qesha me deklarimin tuaj se e dini, jeni të vetëdijshëm për vendimet e kaluara”, tha Rizvanolli.

Më pas, Lekaj e akuzoi që po ia shtrembëron deklaratën.

“Nuk thash që jam i vetëdijshëm, mos e shtrembëro…mos e shtrembëro”.

Më pas, Rizvanolli iu drejtua Lekajt, duke i thënë “mos e ngrit zërin”. /Telegrafi/