Telegrafi

Mos e minoni marrëveshjen e armëpushimit të Gazës, paralajmëron Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden ka paralajmëruar të gjitha palët e përfshira në negociatat për një marrëveshje të mundshme të armëpushimit të Gazës që të mos minojnë përpjekjet e negociatorëve.

Biden deklaroi se “ne jemi më afër se kurrë” për një armëpushim pas raundit të fundit të negociatave, por një zyrtar i lartë i Hamasit shprehu skepticizëm.

Presidenti njoftoi gjithashtu se po dërgonte Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken në Izrael për të vazhduar “përpjekjet intensive për të përfunduar këtë marrëveshje”.

Komentet e liderit amerikan vijnë pas një deklarate të përbashkët nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti – duke deklaruar se ata kishin paraqitur një propozim për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve që “zvogëlon boshllëqet” midis Izraelit dhe Hamasit.

Çdo shenjë përparimi në bisedimet e Katarit konsiderohet si thelbësore për të shmangur përshkallëzimin e luftës në një konflikt të gjithanshëm rajonal.

Ndërmjetësuesit thanë se dy ditët e fundit të diskutimeve të armëpushimit kishin qenë “serioze, konstruktive dhe të zhvilluara në një atmosferë pozitive”.

Ekipet teknike pritet të vazhdojnë punën gjatë ditëve në vijim mbi detajet se si të zbatohen kushtet e propozuara përpara se zyrtarët e lartë të qeverisë të takohen sërish në Kajro, me shpresën për të arritur një marrëveshje mbi kushtet e përcaktuara në Doha.

Një figurë e lartë nga Hamasi – e cila nuk mori pjesë në bisedime, por ishte në kontakt me zyrtarët e Katarit dhe Egjiptit – i tha BBC-së se ” udhëheqja e lëvizjes sot u informua në lidhje me rezultatet e takimeve të armëpushimit në Doha dhe se në të nuk përfshihen zotimet për të zbatuar atë që ishte rënë dakord më 2 korrik”.

Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të një sulmi të paprecedentë në Izraelin jugor më 7 tetor, gjatë të cilit rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng. Më shumë se 40 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza.

Një marrëveshje e rënë dakord në muajin nëntor bëri që Hamasi të lirojë 105 pengje në këmbim të një armëpushimi njëjavor dhe lirimin e rreth 240 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite. Izraeli thotë se 111 pengje janë ende duke u mbajtur, 39 prej të cilëve supozohen të vdekur. /Telegrafi/