Site icon Telegrafi

Morina: Vështirë me Mornarin

Bardhekaltrit në tri javët e fundit kanë qenë të angazhuar dhe të përqendruar maksimalisht në garat e FIBA Europe Cup dhe kjo ka bërë që ata në BIBL, ku edhe janë kampionë në fuqi t’i luajnë vetëm dy ndeshje deri më tani.

Prishtinasit i kanë regjistruar dy fitore nga po aq ndeshje të luajtura në BIBL duke e mposhtur Beroen në Bullgari dhe më pas në kryeqytet e kanë mundur Kozuvin nga Maqedonia.

Ndërkaq të enjten me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë janë nikoqirë të Mornarit nga Mali i Zi. Edhe skuadra malazeze i ka luajtur dy ndeshje dhe ka shënuar po aq fitore. Mornari kryeson në Grupin A me 4 pikë aq sa kanë edhe Prishtina, Kozuvi, kurse Beroe ka tubuar 3 sosh.

Gëzim Morina, basketbollist i Sigal Prishtinës ka folur për ndeshjen duke e quajtur të vështirë.

“Mornari është ekip të cilin nuk duhet ta nënçmojmë, pasi me ata ne e ndajmë vendin e parë në renditje. Është ndeshje e rëndësishme për ne, pasi që objektivi i vetëm në Ligën Ballkanike është ta mbrojmë titullin e fituar një edicion më parë. Edhe në këtë ndeshje shpresojmë në përkrahje sa më të madhe nga ana e ‘Plisave’ dhe besoj se së bashku do ta regjistrojmë suksesin e radhës”, ka thënë Morina.
 

Exit mobile version