Site icon Telegrafi

Morina: Sokoli është një mysliman i devotshëm (Video)

Sokol Morina, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për veprën penale – organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste, u paraqit para Gjykatës në Pejë, ku pas leximit të aktakuzës e ritheksoi se ndihet i pafajshëm.

Ndërsa, prokurori i rastit, Admir Shala, gjatë leximit të aktakuzës ka përshkruar në mënyrë kronologjike rrugëtimin dhe pjesëmarrjen e të akuzuarit Morina në organizatën “Al Nusra”, të cilën e ka cilësuar terroriste.

Prokuroria pretendon se Sokol Morina e Alban Shala në mesin e vitit 2013 udhëtuan nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, prej ku më pas vazhduan rrugën për në qytetin Hataj, ku edhe kishin kaluar ilegalisht kufirin turko-sirian dhe kishin shkuar në kampin stërvitor të “Al Nusra”-s në qytetin e Alepos, ku edhe ishin rekrutuar.

Në seancën e sotme, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua shoku i Sokolit, Mentor Merxha, i cili ishte propozuar nga prokuroria.

Dëshmitari tha se me Sokolin kishin lidhur miqësi si frekuentues të xhamisë “Mesxhidi i Madh” në Pejë.

Mentor Merxha deklaroi se asnjëherë me parë nuk kishin biseduar rreth temës që prekte konfliktin e armatosur në Siri. Ai tha se nuk ishte në dijeni për planet e Sokolit për të marrë pjesë në konfliktin sirian.

Merxha theksoi se është krenar që është shok i Sokolit, të cilin e përshkroi si shok të mirë, njeri human dhe mysliman i devotshëm. Në fund Merxha u shpreh i bindur për pafajësinë e Sokolit.

Në anën tjetër, Asdren Hoxha, avokati i Sokol Morinës, mbrojtjen e tij që nga fillimi e ka ndërtuar mbi bazën se Sokoli nuk kishte të bënte me “Al Nusran” por me “Ushtrinë e Lirë Siriane”, e cila nuk konsiderohet si organizatë terroriste.

Avokati tha për KALLXO.com se pretendimin që Sokoli kishte të bënte me “Al Nusran” Prokuroria nuk mund ta argumentojë me asnjë fakt.

“Prokuroria pretendon përkatësisht ka paraqitur disa harta të caktuara ku thuhet se organizata “Al Nusra” ka operuar në qytetin e Alepos në periudhën mars-qershor 2014. Ndërsa i mbrojturi im në qytetin e Alepos ka qenë në periudhën korrik 2013 – janar 2014”, tha avokati.

Sipas Hoxhës, në kohën kur i mbrojturi i tij kishte shkuar në Siri, qyteti i Alepos kontrollohej nga Ushtria e Lirë Siriane.

Avokati Hoxha shtoi se për rastin në fjalë vlen parimi procedural “In ubio pro reo”, që provat dhe faktet e dyshimta të shkojnë në favor të të pandehurit.

“Mendoj që ky parim i vjetër latin (in dubio pro reo) duhet të zbatohet në rastin konkret, sepse me hamendje, me aludime nuk duhet të shpallet dikush fajtor”, tha Hoxha.

Për shkak se mbrojtësi dhe prokurori i rastit propozuan që të kryhet ekzaminimi mjekësor për të akuzuarin, seanca u ndërpre për kohë të pacaktuar, deri sa Instituti i Mjekësisë Ligjore të konstatojë gjendjen shëndetësore të Sokol Morinës.

KALLXO.com, raportoi edhe për arrestimin e Sokolit në shtator të vitit 2014. Dy të akuzuarit, Sokol Morina e Alban Shala, janë nga Loxha e Pejës.

Exit mobile version