Telegrafi

Morina merr përgjegjësinë për humbjen nga Prishtina

Arbëria ka ngritur herët ‘flamurin e bardhë’ në duel me Prishtinën, derisa për 45 minuta ka pranuar tre gola dhe në fundin e ndeshjes është detyruar ta kapërdijë disfatën prej 4-0 në shtëpi.

Megjithatë, disfatën për këtë përgjegjësi e ka marrë kryetrajneri i kësaj skuadre Arbnor Morina, i cili në prononcimin e tij pas ndeshjes theksoi se ndoshta ka gabuar në përzgjedhjen e futbollistëve dhe taktikës së lojës.

“Gjithçka shkoi keq nga fillimi i ndeshjes deri në mbarimin e saj. Nuk ishim në gjendje për të reaguar pas çdo goli të pësuar dhe kjo edhe falë paraqitjes së Prishtinës, e cila e dominoi ndeshjen dhe me shumë meritë e fitoi atë”.

“Në skuadrën tonë nuk funksionoi asgjë, munguan shumë elemente të cilat më së miri e përkufizon rezultati final i ndeshjes. Ndoshta është dështim i imi sepse kam gabuar në përzgjedhjen e futbollistëve, ose ndoshta edhe në taktikën e ndeshjes”, theksoi Morina për “Art Sport”.

Arbëria për momentin nuk ndryshon pozicion në renditjen tabelare, mirëpo rrezikon shumë pasi që ka vetëm 22 pikë, ndërkohë që kundërshtarët direkt për mbijetesë kanë për të zhvilluar ndeshjen e kësaj jave. /Telegrafi/