Site icon Telegrafi

Morina: Kosova ka nevojë për përkrahjen e publikut

(Foto: basketbolli.com)

Basketbollistët e Kosovës të premten kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para nisjes drejt Sllovakisë, ku do t’i zhvillojnë dy ndeshje miqësore gjatë fundjavës.

Atmosfera në kampin e Kosovës është shumë e mirë, derisa lojtarët po përgatiten maksimalisht para ndeshjeve parakualifikuese për Eurobasket 2021 ndaj Luksemburgut dhe Britanisë së Madhe, gjatë muajit gusht.

Basketbollisti i Kosovës, Gëzim Morina, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve deri më tani. “Kjo ishte dita e pestë e stërvitjeve dhe deri më tani kanë shkuar shumë mirë. Atmosfera është e mirë, derisa po japim maksimumin që të jemi 100 për qind gati për ndeshjet e muajit gusht. Besoj se do të jemi gati deri atëherë dhe shpresoj se nuk do të kemi lëndime. Kjo është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Morina për faqen zyrtare të FBK-së.

(Foto: basketbolli.com)

Ai foli edhe për ndeshjet ndaj Luksemburgut dhe Britanisë së Madhe. “Nuk do të jetë lehtë dhe kundërshtarët kanë ekipe për t’u respektuar. Do të kemi edhe dy miqësore me Sllovakinë (të shtunën dhe të dielën) që do të na ndihmojnë shumë. Ftoj publikun që të na përkrahin maksimalisht, sepse kemi nevojë për përkrahjen e tyre. Tifozët na kanë qëndruar gjithmonë pranë dhe shpresoj se kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Angazhimi ynë nuk do të mungoj në fushë dhe shpresoj të arrijmë objektivat”, deklaroi Gëzim Morina.

Dardanët më 3 gusht janë mysafirë të Luksemburgut, më pas e presin Britaninë e Madhe më 7 gusht dhe Luksemburgun më 14 gusht, kurse ndeshja e fundit është kundër Britanisë në udhëtim më 17 gusht.

Exit mobile version