Site icon Telegrafi

Morina ka nevojë për përforcime

“Kur nga 15 pikët e mundshme i arrijmë 13 dhe renditemi në mesin e skuadrave më të mira, si në kampionat e po ashtu edhe në garat për kupë, atëherë nuk ka se si të mos e quaj vjeshtën të suksesshme”, tha Arbnor Morina, për të cilin flitej se do ta ndërrojë mjedisin në pranverë, por që mbeti në Gjilan.

“Është e vërtetë se kam pasur oferta, por përparësia ka qenë në anën e Dritës. Pas ndeshjes së fundit jemi ulur , kemi biseduar dhe u morëm vesh shpejtë që të mbetem në Gjilan”, shprehet Morina, duke bërë me dije se “të gjitha obligimet ndaj futbollistëve janë kryer, dhe kjo është gjëja më e mirë që mund të ndodh në ndonjë skuadër”. Morinës nuk i vjen mirë që disa klube po mundohen t’ia “vjedhin” lojtarët Dritës.

“Disa klube po kontaktojnë me futbollistët tanë edhe pse ata kanë kontrata dhe kjo nuk është mirë”, shton Morina, duke përmendur Xhevdet Shabanin, për të cilin thotë se “ai do të mbetet në Dritë, madje edhe pas përfundimit të kontratës, do të mundohemi ta ndalim duke i ofruar ofertë të mirë”.

Mirëpo numri një i bankinës gjilanase është i vetëdijshëm për fondin e varfër që e ka dhe kërkon tre përforcime në afatin janar para sfidave pranverore. Një sulmues, fundor dhe mesfushorë i do Morina. Ish-sulmuesi i Trepçës’89, e më parë edhe i Vllaznisë së Shkodrës, Kastriot Rexha është caku i parë i Dritës.

Morina e pranon se janë duke biseduar me të dhe ka gjasa reale që Rexha në pranverë të bëhet pjesë e Dritës. “Stili i Rexhës i përshtatet lojës së Dritës dhe jemi shumë të interesuar për të”. Edhe Rexha e pranon se kanë biseduar me gjilanas. ”Po kemi biseduar më parë, por tash për tash nuk ka asgjë konkrete”, thotë Rexha. Ai ka oferta edhe Hysi, Ferizaj e Hajvalia. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version