Për shkak të grevës së kirurgëve 200 operacione në ditë janë duke u anuluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa aktualisht po trajtohen vetëm rastet emergjente.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin kirurgu, Arbër Morina.
Morina theksoi se kirurgët kërkojnë rritjen e pagave në nivel të prokurorëve dhe gjyqtarëve
Sipas tij, greva e kirurgëve nuk do të ndalojë deri në momentin e marrjes së një vendimi nga institucionet përgjegjëse.
“Greva është duke u mbajtur në QKUK dhe spitalet rajonale. Rastet emergjente nuk i kemi anuluar asnjëherë, as ditën e parë dhe nuk do të anulohen asnjëherë. Operacionet selektive janë ndërprerë. 11 klinika janë në grevë, nëse një klinikë i bën minimalisht 5 deri në 20 operacione kjo nënkupton një numër prej 100 deri 200 operacione në ditë të anuluara. Kushti është i qartë, kërkesën e kemi të qartë. Ne kërkojmë rritjen e pagave në nivel të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Në momentin që ky vendim merret ne e ndërpresim grevën, përndryshe greva kryhet pafundësisht”, ka thënë Morina.
I pyetur se a kanë marr ndonjë përgjigje nga institucionet në lidhje me kërkesat e tyre ai tha: “Jo nuk kemi marr asnjë përgjigje nga askush deri më tani”.
Ndryshe, nga data 17 dhjetor 2018 kolegjiumet profesionale të kirurgëve të QKUK-së kanë hyrë në grevë, ndërkaq kërkojnë rritjen e pagës në nivel të prokurorëve dhe gjyqtarëve. /Telegrafi/