Zëdhënësi i koalicionit VLEN, Fari Hiseni thotë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka kaluar pikën kufitare të “Bllacës” sipas procedurave lehtësuese për zyrtarët e lartë shtetërorë gjatë vizitës së tij në Kosovë ku ka marrë pjesë në një dasmë. Hiseni tha se vizita e Gashit është realizuar sipas rregullave dhe standardeve ligjore.
“Të gjithë e kemi të qartë se pas 22 vitesh regjimi të BDI-së, qytetarët kanë pritshmëri të mëdha nga qeveria e re. Situata të tilla, kur në të kaluarën as që diskutohej për to, sot bëhen temë në media, të cilat i konsideroj të paligjshme, sepse bëhet fjalë për personin e dytë të shtetit, për të cilin rregulloret ligjore rregullojnë momentin kur kryetari i Kuvendit është e nevojshme të shoqërohet me siguri. Kështu që edhe në këtë rast, vizita në vetvete nuk është jashtë rregulloreve ligjore dhe është në harmoni me atë standard”, tha ai.
Hiseni theksoi se për kalimin e pikës kufitare janë planifikuar masa sigurie edhe nga kryetari i Kuvendit dhe zyrtarë të lartë të shtetit. Ai theksoi se nuk ka informacione nëse në kolonën me veturën zyrtare të kryetarit të Kuvendit ka pasur automjete të tjera përcjellëse.
Sa i përket aspektit etik të ngjarjes, Hyseni tha se situata të tilla kur përcillet nusja është zakon për çdo dasmë shqiptare, por edhe maqedonase.
“Nuk shoh asgjë të keqe të praktikosh zakonet e një populli”, tha ai.
Dje nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit kanë bërë të ditur se ai dhe familja e tij kanë udhëtuar për në Kosovë, ndërsa vizita, siç thonë ka qenë tërësisht transparente dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme.
Reagimi me shkrim nga Kabineti i Gashit ka ardhur pas pamjeve të publikuara në video se ai “ka shkuar përcjellës i nuses” me veturë zyrtare./Telegrafi/