Site icon Telegrafi

Morën peng një 21-vjeçar, arrestohen dy persona në Fier si dhe një polic që nuk kallëzoi ngjarjen

Foto: Ilustrim

Dy persona K.B, 26-vjeçar dhe E.A 25 vjeçar nga Fieri janë arrestuar si bashkëpunëtor i një personi tjetër në arrati me inicialet A. Z., 32 vjeç, banues në Mallakastër me dyshimin se kanë marrë peng një 21 vjeçar.

Sipas Policisë së Shtetit dyshohet që ngjarja ka ndodhur në fshatin Ferras, Fier, ku autorët, për shkak të një debati që kanë pasur para 2 ditësh, për motive të dobëta, me kushëririn e 21-vjeçarit, kanë ndaluar automjetin me të cilin ai po udhëtonte, e kanë dëmtuar atë dhe e kanë marrë me forcë për rreth 3 orë.

“Ata akuzohen për veprat penale ‘Heqja e paligjshme e lirisë’, ‘Shkatërrimi i pronës’ dhe ‘Vjedhja me dhunë’ të kryera në bashkëpunim”.

Tutje në njoftim thuhet se punonjësi i policisë G. Y., 31 vjeç, banues në Fier, me detyrë trup shërbimi në seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ka pasur dijeni për ngjarjen por nuk ka njoftuar strukturat e Policisë, për të cilin u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

U sekuestrua automjeti me të cilën autorët morën me forcë 21-vjeçarin si edhe automjeti me të cilin udhëtonte 21-vjeçari, të cilin autorët e kishin marrë dhe fshehur në fshatin Ferras.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale. /Telegrafi/

Exit mobile version