Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka gjetur ngjashmëri ndërmjet trajnerit aktual, Antonio Conte dhe ish-trajnerit të Nerazzurrëve, Jose Mourinho.
Zikaltrit u shpallën kampionë të Italisë për herë të parë pas 11 vitesh, ndërsa titullin e fundit ua kishte sjellë strategu portugez në kohën e tripletës së famshme (2009/2010).
“Jam shumë i lumtur, ishte një çast i veçantë, të cilin e festova me familjen time. Jam i gëzuar që Interi e fitoi sërish titullin dhe shpresoj të fitojmë më shumë në të ardhmen”, ka deklaruar Moratti për Sky Sport Italia.
“Antonio Conte e ka arritur objektivin e tij duke e mbrojtur skuadrën dhe duke ua dhënë lojtarëve karakterin e tij. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm”.
“Më duhet të them se kjo skuadër e Interit të kujton ekipin e Trapattonit. Po ashtu, shoh ngjashmëri me Jose Mourinhon dhe Helenio Herreran. Ata janë profesionistë seriozë me mentalitet fitues”, është shprehur më tej ish-presidenti i Interit. /Telegrafi/