Sulmuesi spanjoll, Alvaro Morata dëshiron të largohet nga Chelsea këtë muaj dhe për këtë do ta bëjë së shpejti një kërkesë te drejtuesit e klubit.
Morata nuk po gjen qetësi dhe së shpejti pritet të largohet nga klubi londinez.
Mediumi spanjoll Cadena Cope raporton se një anëtar i kampit të sulmuesit ka zbuluar për mediat se Morata ka vendosur të lërë Stamford Bridge në janar.
Skuadrat e interesuara për spanjollin nuk mungojnë dhe vijnë nga të gjitha kampionatet e mëdha evropiane.
Paris Saint-Germain, Bayern Munichu dhe Atletico Madridi janë duke u lidhur me Moratën.
Sidoqoftë, Sevilla konsiderohet si favorit për të transferuar qendërsulmuesin – me një marrëveshje huazimi që po diskutohet tashmë.
Trajneri i Sevillas dhe drejtori sportiv Joaquin Caparros kanë konfirmuar interesin e tyre dhe diskutimet e tyre me Moratan.
Ndryshe, Morata në këtë sezon deri më tani ka zhvilluar 24 ndeshje duke shënuar nëntë gola. /Telegrafi/