Ish-presidenti i Bolivisë, Evo Morales thotë se të dielën u qëllua me armë në automjetin e tij, mes tensioneve politike në rritje brenda fraksioneve të partisë socialiste në pushtet.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Morales dhe ish-ministri i tij i ekonomisë dhe presidenti aktual, Luis Arce, janë përfshirë në një luftë për pushtet përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Në një intervistë të fundit, Morales tha se dy automjete “e zunë atë në rrugë” dhe qëlluan mbi makinën e tij, duke pretenduar se një plumb kaloi “centimetra” nga koka e tij.
“Unë nuk e di nëse ata ishin ushtarë apo policë”, citohet të ketë thënë Morales.
Ndërkohë, Morales, presidenti i parë indigjen i Bolivisë, postoi një video në mediat sociale të marrë nga brenda makinës së tij në lëvizje.
Videoja e tregon atë të ulur në ulësen e pasagjerit dhe zbulon të paktën dy vrima plumbash në xhamin e përparmë.
Shoferi duket se ka mbetur i plagosur, ndonëse ende po drejtonte mjetin.
Zëvendësministri i Sigurisë, Roberto Rios tha se qeveria do të hetojë sulmin e dyshuar ndaj Morales, duke shtuar se policia “nuk ka ekzekutuar asnjë operacion” kundër ish-presidentit.
“Si autoritete përgjegjëse për sigurinë e shtetit, ne jemi të detyruar të hetojmë çdo raport, pavarësisht nëse është i vërtetë apo i rremë”, ka thënë Rios.
Incidenti i së dielës vjen mes tensioneve në rritje me mbështetësit e Morales që bllokuan autostradat në Bolivinë qendrore dhe forcat e sigurisë dhe policia po përpiqen “t’i pastrojnë” ato.
Situata rrezikon të ndezë trazira të mëtejshme në një komb që tashmë po përballet me një krizë ekonomike.
Të shtunën, qeveria kritikoi ish-presidentin për “destabilizimin” e vendit me dy javë bllokada rrugore që kanë ndërprerë furnizimin me ushqime dhe karburant në mbarë vendin. Qeveria deklaroi se ai po përpiqej të “ndërpriste rendin demokratik”.
Në një deklaratë, qeveria pohoi gjithashtu se disa grupe aleate me Morales ishin të armatosur dhe paralajmëroi për dhunë të mundshme, duke vënë në dukje se 14 oficerë policie ishin plagosur në përpjekje për të thyer bllokadat. /Telegrafi/