Site icon Telegrafi

Monumenti i trashëgimisë kulturore të Kosovës i pasur me mbi dy mijë eksponate

Muzeu Etnologjik është ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë, që daton nga shekulli i XVIII.

Kjo shtëpi ishte në pronësi të familjes së Emin Gjikut, transmeton Telegrafi.

Muzeu Etnologjik “Emin Gjiku”

Shtëpitë të cilat janë pjesë përbërëse e muzeut, janë shtëpi tipike qytetare shqiptare të cilat i takojnë shekullit XVIII dhe XIX. Këtë e pohon për Telegrafin edhe Anduena Thaçi-Balaj, kustos në Muzeun Etnologjik.

Anduena Thaçi-Balaj, Muzeu Etnologjik

“Muzeu etnologjik gjendet në pjesën e vjetër të qytetit të Prishtinës, pra, në qendrën historike të tij. Përbëhet prej katër ndërtesave të cilat i takojnë shekullit  XVIII dhe XIX. Shtëpi këto tipike qytetare që njihen si shtëpi të tipit me çardak. Me krijimin e institucioneve tona pas çlirimit është vendosë pas vitit 2001/2002 kompleksi të jetë Muze Etnologjik. E kanë largu koleksionin e eksponateve të natyrës dhe e kanë pa më të përshtatshëm që të jetë si muze etnologjik”, tha ajo.

Banorët e këtyre shtëpive që në vete ngërthejnë kujtime, dikur ishin larguar me dhunë nga aty. Por, që asnjë herë se harruan vendin ku kanë jetuar.

“Është Avni Emin Gjiku, pasardhës i Emin Gjikut i cili tregon se e mban mend që kanë jetu rreth tre breza të kësaj familje ku edhe mbiemrin e marrin nga pronari i familjes Emin që thuhet se ka qenë i shkurtër me shtat, Emin- Gjik nga turqishtja edhe e ka marrë mbiemrin ashtu familja Emin Gjiku”, u shpreh Thaçi-Balaj.

Eksponatet e Muzeut Etnologjik

Muzeu tani përmban më shumë se dy mijë eksponate të cilat i përkasin fushave të ndryshme, madje disa janë nga mesjeta.

“Në muze kemi rreth dy mijë eksponate të koleksioneve të ndryshme qoftë nga druri, dheu, tekstili, koleksioni i argjendarisë e kështu me radhë. Kemi eksponate të shekullit XVIII-XIX, kohëve të fundit kemi pas edhe shumë eksponate që na dhurojnë njerëzit. Kemi edhe një eksponat shumë të vjetër, një matës të kohës që parashihet të jetë nga mesjeta”, tha ajo.

Oda e Muzeut Etnologjik

Veç këtyre Anduena tregon se një ndër pjesët më kryesore dhe të veçanta që posedon ky muze është oda e burrave. Oda ka qenë një ndër vendtakimet e burrave dhe iu ka shërbyer në marrjen e vendimeve.

“Oda tipike qytetare e burrave e cila karakterizohet prej minderit, është vendi ndoshta që ju pëlqen të gjithë turistëve, është pjesa më e bukur e kësaj shtëpie. Oda në traditën shqiptare ka qenë si një institucion popullorë ku janë mbajt mbledhjet e takime të ndryshme të burrave, njëkohësisht në popull e kanë quajt si një vend kulti që i ka taku mikut dhe zotit”, përfundon ajo.

Oda e Muzeut Etnologjik

Ndryshe, kompleksi “Emin Gjiku” mbetet një ndër shembujt më të mirë të shtëpive qytetare të fillimit të shek. XIX, është pronë e Muzeut të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version