Telegrafi

Montolivo: Kemi humbur shumë kohë me Montellan

Pjesa e parë e sezonit për skuadrën e Milanit ka qenë shumë zhgënjyese.

Rreth gjendjes së ekipit ka folur mesfushori italian Ricardo Montolivo, i cili ka pritur ecuri më të mirë të kuqezinjve pas shumë përforcimeve.

“Besoj se problemi ka qenë se askush nuk priste të kishim kaq shumë vështirësi”, ka pranuar Riccardo Montolivo për ‘Corriere della Sera’ duke shtuar se “Nuk ishim gati, prisnim të kishim një ecuri më të mirë”.

Vështirësi këto që duket se janë krijuar nga disa zgjedhje të ish-trajnerit Montellas.

“Ndryshimi i skemës pas humbjes me Lazio-n ka vështirësuar gjithçka, edhe pse e kemi zhvilluar fazën përgatitore në një mënyrë të caktuar dhe, më pas, në mesin e shtatorit kemi ndryshuar sistemin e lojës. Kemi humbur akoma më shumë kohë dhe besim”, ka thënë mesfushori kuqezi.

Montolivo, në vazhdim, i ka thurur elozhe trajnerit të ri “Po punon me shumë pasion, askush nuk e ka në zemër Milan-in më shumë se ai. Cilësia e tij më e mirë është se nuk ndryshon mentalitet, pavarësisht nëse fitojmë apo humbasim një ndeshje”.

“Uroj që ky të jetë viti i Cutrone-s. Ka qenë një surprizë e bukur, por nuk duhet harruar se tani vjen pjesa më e vështirë, në të cilën të gjithë do të presin më shumë nga ai. Por besoj se Patrick do t’ia dalë”, ka përfunduar Montolivo. /telesport/