Sevilla e Vincenzo Montellës ka barazuar 2-2 me Barcelonën, në një takim kur deri në minutat e fundit katalunasit ishin në disavantazh të dy golave.
Roma do të vizitojë të mërkurën mbrëma Camp Noun në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve.
Ata morën mesazhe të përziera nga blaugrana që ishin duke pësuar 2-0 dhe rrezikuan të pranonin edhe më shumë gola, por me inkuadrimin e Lionel Messit në fushë gjërat ndryshuan dhe Barca barazoi gjithçka.
“Ne patëm mungesë vendosmërie për ta përfunduar me të vërtetë ndeshjen dhe kur Messi erdhi, ai ndryshoi takimin”, tha trajneri i Sevillës, Montella.
“Unë jam i zemëruar dhe i zhgënjyer, ashtu si lojtarët, sepse ne kemi shfaqur një paraqitje të shkëlqyer për 88 minuta”.
Ai me këtë rast ka këshilluar edhe trajnerin e skuadrës romake, Eusebio Di Francescon.
“Ai e di më së miri se çfarë të bëjë, por është më e lehtë nëse nuk luan Messi”, tha Montella.
Çuditërisht, të dy golat e Sevillas kundër Barcelonës u shënuan nga ish-lojtarët e Serie A, Franco Vazquez dhe Luis Muriel. /Telegrafi/