Trajneri i Milanit, Vincenzo Montella, është shprehur krenar për lojtarët që po i drejton, pas barazimit (1-1) kundër Lazios.
Kuqezinjtë nuk ishin në situatë lakmueshme gjatë gjithë ndeshjes, mirëpo në fund ia dolën të merrnin një pikë falë golit të vonshëm të Susos.
“Jam shumë i lumtur me këtë ndeshje, sesa me tjerat kur e kemi marrë të njëjtin rezultat. Jam shumë krenar që i trajnoj këta djem, të cilët treguan një shpirt të mrekullueshëm”.
“Secili trajner i ka analizat e tij, shumë herë kam thënë se kemi luajtur më mirë se skuadra tjetër, kurse pastaj kemi humbur”.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, jo se ne iu qasëm keq. I gjithë krahu i majtë asnjëherë nuk ka luajtur bashkë, po ashtu edhe tre nga katër në qendër”.
“Skuadra është më e fortë se gjithçka”, është shprehur Montella për Premium Sport.
Milani renditet i shtati në tabelë me dhjetë pikë prapa vendit të tretë që çon në Ligën e Kampionëve, e që mbahet nga Napoli. /Telegrafi/