Telegrafi

Monopoli i gazit

Fehmi Mujota, nuk është më ministër i Infrastrukturës. Por ai pas vete i ka lënë shumë të bëma. Sa ishte në krye të kësaj ministrie. Mujota pa tender publik e pa e bërë të madhe shumë, ka krijuar një monopol në tregun e Kosovës. Ai ka vendosur që procesi i regjistrimit të makinave që për karburant e përdorin gazin të kthehet në një biznes profitabil për disa persona të caktuar.

Mujota kundërligjshëm e ka autorizuar si kompani të vetme në Kosovë për certifikim të makinave me gaz “Institutin për hulumtime dhe analiza ‘LEKA-GAS’ SH.P.K.”, që është në pronësi të Mirsad Manxhukës, kryetari i Shoqatës së Qendrave të Kontrollit Teknik dhe biznesmenëve, Arsim Gërbeshit, Menderes Berishës e Blerim Morinës.

Gazeta Fjala ka siguruar dokumentacionin që dëshmon se kjo kompani ushtron veprimtari si e pa konkurrencë në këtë fushë, me urdhër të krerëve të MI-së.

Në këtë mënyrë, asnjë makinë me gaz nuk mund të regjistrohet ose ri-regjistrohet pa ju nënshtruar kontrollit dhe pa u pajisur me një dokument që kushton 60 euro në “LEKA -GAS” SH.P.K.
Këtë e pranon edhe vetë Mirsad Manxhuka, person i autorizuar në “LEKA -GAS” SH.P.K. duke treguar se kompania e tyre është e vetmja në Kosovë që bënë testet dhe lëshon certifikatat për makinat që përdorin gazin si karburant, por mohon që bënë shkelje të ligjit.

“Nuk ka monopol. Kjo është punë e rrezikshme dhe për këtë na ka autorizuar Ministria e Infrastrukturës. Në garë kanë qenë gjashtë kompani që kanë aplikuar por nuk i kanë plotësuar kushtet”, ka thënë Manxhuka për Gazetën Fjala.

“Nëse autorizohet edhe një, unë e mbylli biznesin. Nuk kam vakt me shku në burg”.
Megjithatë, po të autorizohej një kompani e dytë për të kryer këtë punë, për Manxhukën është e pa pranueshme.

Sipas tij, nëse edhe dikush tjetër merret me këtë punë, rreziku për të lëshuar në qarkullim vetura të pa kontrolluara rritet dhe ai nuk dëshiron që faji ti mbetet “LEKA GAZ”-it.

Ai ankohet në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Policinë e Kosovës se nuk po i dalin në ndihmë për ti vënë në kontrollë veturat me gaz, të cilat thotë se në pjesën më të madhe në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet për të qarkulluar në rrugë. “98 për qind e veturave që i janë nënshtruar kontrollit nuk I kanë plotësuar kushtet”, thotë Manxhuka.

Të tilla sipas tij nuk janë shumë por rreziku nga to është i madh. Megjithëse numri I saktë i automjeteve që për lëndë djegëse kanë gazin nuk dihet, sipas përfaqësuesit të “LEKA GAZ”, janë rreth 4500 vetura.

Por Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorëve definon se një pozitë e tillë është veprim i kundërligjshëm si dominim (monopol). “Ndërmarrja ka pozitë dominuese nëse, si furnizues ose blerës i disa llojeve të caktuara të mallrave ose shërbimeve: nuk i nënshtrohet konkurrencës së lirë në treg; nëse ka pjesëmarrje më të madhe se 40 për qind në treg”, thuhet në nenin 10 të këtij ligji.
“LEKA -GAS” SH.P.K., sipas dokumentacioneve që ka siguruar Gazeta Fjala, është autorizuar me një e-mail nga Ministria e Infrastrukturës si kompania e vetme, dhe ajo jo 40 për qind, por ka 100 për qind të tregut në këtë fushë-veprim.

Ligji thotë edhe që “nuk konsiderohet pozitë dominuese në rast se ndërmarrja në fjalë argumenton se është e ekspozuar para një konkurrence”, por e-maili obligues i MI-së për kompanitë e sigurimeve që të gjitha makinat me gaz ti dërgojnë për “a-teste” vetëm te “LEKA -GAS” SH.P.K dëshmon se nuk ka pasur një tender publik për zgjedhjen e kësaj kompanie.

Kompania “LEKA -GAS” SH.P.K. ka një tarifë fikse për secilën makinë të certifikuar nga ta që është tarifa prej 60 eurosh. Sipas direktivave të reja të MI-së për kompanitë e sigurimit, asnjë makinë me gaz nuk mund të regjistrohet ose ri-regjistrohet pa pasur një dokument që kushton 60 euro në “LEKA -GAS” SH.P.K. /GazetaFjala/Telegrafi/