Site icon Telegrafi

Monologu mbi vetëvrasjen

Nga: Abbas Kiarostami, “Shija e qershisë” (film i 1997-ës )
Përktheu: Beti Njuma

Një turk shkon tek mjeku dhe i thotë: Z. mjek..

Dhe ai: Urdhëroni…

Ngado vë gishtin më dhemb. Prek kokën më dhemb, prek këmbën më dhemb, prek barkun më dhemb, prek dorën më dhemb.

Mjeku e viziton dhe i thotë: Zotëri, ju keni gishtin e thyer, pjesët e tjera të trupi i keni në rregull. Zotëri i dashur, ju keni mendimin e sëmurë, në të vërtetë jeni për mrekulli, ndryshoni mënyrën tuaj të të menduarit.

Unë shkova të vetëvritem dhe një kokërr mani më ndryshoi krejtësisht. Një man ju as që e përfillni…

Bota është ndryshe, bota është tjetër gjë.

Ti ndrysho mënyrën tënde të të menduarit dhe bota do të ndryshojë. Vështroji gjërat me sy tjetër. Vështroji me optimizëm. Je në hapat e parë të jetës, je ende i ri. Për një hiçgjë do të vetëvritesh? Për një problem. Jeta i ngjan një treni, kalojnë njëri pas tjetrit, ikin e vijnë deri sa arrijnë në stacionin e fundit. Stacioni i fundit është vdekja. Vërtet që vdekja është një zgjidhje, por jo në fillim. Jo në rini.

Më falni, ju futa në një shteg të koklavitur. S’e morra me mend.

Njeriu mendon se është rruga e duhur pastaj sheh se është e gabuara. E rëndësishme është të mendosh. Njeriu mendon se po bën diçka të mirë, mandej sheh se ka gabuar gjithçka.

Por, thomëni diçka, një gjysmëfjale, sa për të më dhënë një fije kënaqësi. Fola kaq gjatë, thashë kaq shumë gjëra. Mbajta tërë këtë fjalim vetëm për ju. Thomëni së paku diçka. Kthehuni majtas, ju lutem. Po nuk folët ju, do jem i shtrënguar të flas edhe më shumë. Po nuk nxorët asnjë fjalë unë vazhdoj… Ke humbur shpresën? Këtë mëngjes kur u zgjove a i hodhe sytë rreth e rrotull? A e pe qiellin. Nuk do ta shohësh Diellin kur agon? Të kuqen dhe të verdhën e Perëndimit, s’do t’i shohësh më?

A e ke parë Hënën? S’do t’i shohësh yjet, nën dritën e Hënës? Atë trajtë rrethore të hënës, s’do ta shohësh më? Do të mbyllësh sytë?

Nëse s’ju vjen keq, merrni djathtas. Tërë këto gjëra duhen parë. Bota vjen nga anë e anës për të parë këto gjëra, ndërsa ti do të shkosh në botën tjetër.

S’do më ta pish ujin e ftohtë të përroit? Ta shpëlani fytyrën me atë ujë? Kthehuni djathtas. A i shihni ndonjëherë katër stinët? Çdo stinë ka frutat e veta. Në verë një frut, në vjeshtë një frut tjetër, vjen dimri dhe ka të vetat, vera po ashtu. Asnjë mëmë nuk s’e mbush frigoriferin me kaq shumë fruta për birin. Asnjë mëmë s’ka bërë kaq shumë për birin e vet sesa Zoti për bijtë e tij. Tërë këtë do ta fshish me një të rënë të lapsit. Do ta refuzosh? Do të heqësh dorë nga shija e qershisë?

Mos hiq dorë! Unë them: mos hiq dorë, miku im! Do të dorëzohësh? Dorëzohu pra!…

Exit mobile version