Një monedhë e rrallë amerikane, një dhjetëshe pa shenjën e stampës, u nxor në ankand për 506250 dollarë, gati 30 herë më shumë se çmimi për të cilin ishte shitur 46 vjet më parë.
GreatCollections, e cila organizoi ankandin e “Dhjetëshe pa S të vitit 1975”, tha se monedha u ble nga një koleksionist i Ohios dhe nëna e tij për 18200 dollarë në vitin 1978 dhe mbeti tek familja për gati 50 vjet.
Familja e koleksionistit vendosi ta nxjerrë monedhën në ankand, dhe ajo u vlerësua me gradën Proof-67 nga Shërbimi Profesional i Vlerësimit të Monedhave përpara se të shitej për 506250 dollarë, shkruan upi.com.
“Ne patëm interes për këtë raritet modern nga e gjithë bota – koleksionistë seriozë nga Gjermania, Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe koleksionistë nga Shtetet e Bashkuara – mbi 400 ofertues unikë po e ndiqnin ankandin”, tha presidenti i GreatCollections, Ian Russell.
Dhjetëshja është e veçantë për mungesën e shenjës “S” që tregon se është prodhuar në San Francisco. Ajo është vetëm një nga dy ekzemplarët e njohur që ende ekzistojnë.
“Ky është Grali i monedhave moderne, një që mungon në koleksionet institucionale të Smithsonians, ANS dhe ANA. Pas ofertimit, ajo përfundimisht u fitua nga një klient i hershëm i yni, i cili vlerëson raritete që shfaqen rrallë në treg. Qëllimi i tij është që familja ta zotërojë për 46 vitet e ardhshme, ashtu si familja e shitësit që e dorëzoi te GreatCollections”, tha Russell. /Telegrafi/