Telegrafi

Monchi i larguari i radhës nga Roma, spanjolli do t’i bashkohet Arsenalit

Ramon Rodriguez Verdejo Monchi. (Foto: Maurizio Lagana/Getty Images/Guliver)

Ka filluar spastrimi tek skuadra e famshme italiane Roma.

Pas dy humbjeve të rënda 3-0 nga Lazio në kampionat si dhe 3-1 nga Porto në Ligën e Kampionëve është shkarkuar trajneri Eusebio Di Francesco.

Vendin e tij pritet ta marrë ish-trajneri i Romës, Claudio Ranieri një romanist i lindur që do të synojë të bëjë mrekulli me klubin verdh e kuq.

Di Francesco nuk do të jetë i larguari i vetëm nga ekipi kryeqytetas.

Rrugën e trajnerit italian do ta ndjekë edhe drejtori sportiv Monchi, projekti i të cilit ka dështuar.

Spanjolli erdhi me idenë për ta ngritur Romën në maje, por që një gjë të tillë nuk ia arriti ta bëjë asnjëherë.

Roma. (Foto: Octavio Passos/Getty Images/Guliver)

Ai tani nuk e ka përkrahjen as të tifozëve të cilët në kor kanë kërkuar largimin e tij.

Gjatë orëve të ardhshme pritet që Monchi ta zgjidhë me konsensus kontratën me Romën.

Por drejtori sportiv spanjoll nuk do të mbetet edhe gjatë pa një vend të punës.

E ardhmja e tij do të jetë në Londër, ku Arsenali prej shumë kohësh i ka kërkuar shërbimet e tij.

Monchi në Londër do të punojë përsëri me trajnerin Unai Emeri si tek Sevilla vite më parë. /Telegrafi/