“Xhokonda” ose “Mona Liza”, kryevepra e Leonardo Da Vincit, e cila është në Luvër të Parisit për 500 vjet, mund të nisë së shpejti një turne në qytete të tjera të Francës. Kjo u konfirmua nga ministri për Kulturën franceze, Francoise Nyssen, i cili në një intervistë me Radio Europe 1 deklaroi se donte “të studionte seriozisht” iniciativën në kontekstin e një ekspozite udhëtuese të disa prej veprave më prestigjioze që mbahen në muzetë franceze.
“Unë nuk e shoh se pse arti duhet të mbetet i mbyllur. Sigurisht ne duhet t’i kushtojmë vëmendje për ruajtjen dhe atë që ato përfaqësojnë. Unë do të takohem me presidentin e Luvrit për të diskutuar këtë çështje përsëri,” tha Nyssen. “Prioriteti im është që të punoj për të nxjerrë veprat nga vendet e caktuara dhe t’i bëj ato të prekshme për të gjithë”.
“Mona Liza” ishte vjedhur në vitin 1911 dhe u gjet vetëm dy vjet më vonë. Ajo u largua nga Luvri herën e fundit në vitin 1974, për një ekspozitë në Tokio dhe në Moskë. Së pari, ajo u huazua për ekspozita në Washington dhe New York në vitin 1963. Gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore u sigurua në një vend sekret. Në vitin 2013, muzeu i Luvrit hodhi poshtë një kërkesë nga qyteti i Firences, ku Da Vinci hodhi hapat e parë. /BalkanWeb/