Site icon Telegrafi

Momenti i shpërthimit: Një shtëpi “hidhet në erë” pranë Washington DC ndërsa policia po rrethonte një të dyshuar të armatosur

Një shpërthim i madh ka shkatërruar të paktën një shtëpi në një periferi të Washington DC ndërsa policia po ekzekutonte një urdhër kontrolli, thanë autoritetet.

Para shpërthimit në Arlington, Virginia, policia tha se dikush nga brenda shtëpisë kishte qëlluar me armë zjarri ndërsa oficerët u përpoqën të hynin brenda, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Policia tha më herët se i ishte përgjigjur raporteve se dikush qëllonte me armë zjarri nga një banesë të hënën mbrëma.

Policia në vendngjarje raportoi vetëm për lëndime të lehta, por nuk është e qartë nëse i dyshuari është plagosur apo kapur.

Disa banorë në zonën përreth thanë në rrjetet sociale se ndjenë se shtëpitë e tyre dridheshin.

Ndërkohë disa banorë janë evakuuar nga policia, ndërsa të tjerëve u është thënë të strehohen në vend.

Një dëshmitar okular, Jim Mathews, postoi në X duke thënë se para shpërthimit pa disa flakë.

“Dukej si flakë zjarri duke u ndezur”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version